Vizita e Izetbegoviqit në Kazani është kontribut për pajtimin

Burimi: sarajevotimes.com

Kryesuesi i Presidencës së BeH Bakir Izetbegoviq sot vuri lule dhe bëri respekt për civilët serbë të vrarë në Kazani mbi Sarajevë për hir të pajtimit dhe respektit të ndërsjellë.

“Kisha ndjenjën se e kam për detyrim të përkulem para Kazanit dhe të shpreh ngushëllimet e mia për ato familje anëtarët e të cilave kanë humbur jetët këtu në mënyrë të tmerrshme”, tha Izetbegoviq, duke deklaruar se ai është dashur të vijë më herët në Kazani.

Izetbegoviqi tha se duhet bërë gjithçka në mënyrë që këto ngjarje të mos ndodhin sërish, me shpresën se kjo vizitë do të ketë “një efekt pozitiv politik”.

Politikanët e tjerë që iu bashkuan sot Izetbegoviqit ishin Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të BeH Denis Zvizdiq, Kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve të Kuvendit Parlamentar të BeH Shefik Xhaferoviq, Kryeministri i BeH Fadil Novalliq dhe Kryeministri i Kantonit të Sarajevës Ellmedin Konakoviq, si dhe përfaqësues të shoqatave të familjeve të të vrarëve.

Zyrtarët shprehën gadishmërinë për të gjetur mbetjet mortore në Kazani duke patur parasysh se numri i të vrarëve asnjëherë nuk është përcaktuar zyrtarisht. Nga gropa u nxorën mbetjet e rreth 30 personave.

“Familjet e të vrarëve kanë frikë se ndoshta ky është fundit i Kazanit. Prandaj i kam kërkuar Izetbegoviqit të intervenojë dhe të bëjë të mundur kërkimet në Kazani. Nëse në gropë nuk ka më mbetje të tjera, atëherë ai duhet t’i urdhërojë ata që kanë fshehur trupat të na tregojnë se ku janë fshehur” tha Kryesuesi i Shoqatës së Familjeve të të Zhdukurve në Rajonin Sarajevë-Romanija, Millan Mandiq.

Mandiqi tha se vizita e Izetbegoviqit është gjest inkurajues që duhet të bëhet edhe nga anëtarë të tjerë të Presidencës së BeH, Dragan Çoviq dhe Mlladen Ivaniq.

“Ky është vendi prej nga duhet të fillojë ndërtimi i bashkëekzistencës dhe e ardhmja në Sarajevë”, tha Mandiq.

Katërmbëdhjetë ushtarë të Ushtrisë së BeH u dënuan për krime në Kazani. Dënimet e tyre shkojnë nga dhjetë muaj në gjashtë vjet me burgim.

(Bujrimi: novovrijeme.ba/photo: FENA)