Burimi: recom.link
Nga Sabina Čehajić-Clancy (Sabina Çehajiq-Klensi)
Dekada të tëra të hulumtimit në fushën e psikologjisë sociale kanë ofruar dëshmi sistematike se të mësuarit apo njohuria për shkeljet e të drejtave të njeriut paraqet kërcënim ndaj imazhit për vete apo për grupin. Për ta mbrojtur këtë perceptim në dukje pozitiv të vetes/grupit, njerëzit refuzojnë të pranojnë se vetë grupi i tyre mund të jetë përgjegjës për dhimbjen dhe vuajtjen që i shkaktohet anëtarëve të grupeve të tjera. Për ta thënë thjesht, një reagim i zakonshëm duket se është mohimi. Njerëzit duket se janë në gjendje të gjejnë mënyra për të mohuar faktet se çfarë kanë bërë anëtarët e grupit të tyre përkatës. Në këto mohime – qofshin të shprehura si gënjeshtra të qëllimshme apo besime të sinqerta – i gjithë procesi i pajtimit pengohet. Në të vërtetë, mund të thuhet se janë këto qëndrime që kanë lejuar të kryhen tmerret në radhë të parë (Cohen, 2001). Në të vërtetë, hulumtimi ynë në kontekst të Ballkanit tregon se në përgjithësi, njerëzit nuk janë gati apo të gatshëm të pranojnë tmerret e kryera nga grupi i tyre. Kjo shmangie duket se përforcohet me gjendje të ndryshme negative emocionale (p.sh. zemërim, turp, faj dhe trishtim) që mund të shfaqen pasi kuptojmë se pjesëtarët e grupit tonë kanë dëmtuar të tjerët në mënyrë të paligjshme dhe imorale (Čehajić & Brown, 2010; Leach, Zeineddine, & Čehajić -Clancy, 2011). Përveç mohimit dhe strategjive të tjera të shkëputjes morale, një tjetër reagim i zakonshëm është perceptimi se grupi i dikujt ka vuajtur më shumë (Nadler & Liviatan, 2004). Këto bindje të të qenit viktimë jo vetëm që janë të njëanshme, por priren të shtrembërojnë çdo përpunim objektiv të informacionit dhe si të tilla, pengojnë zgjidhjen e konflikteve dhe proceset e pajtimit (Bar-Tal, 2000).
Thelbi i të gjithë çështjes është se zgjidhja e suksesshme dhe e qëndrueshme e konflikteve dhe më pas pajtimi mund të jenë të vështira për t’u arritur pa pranim të qartë dhe publik të përgjegjësisë (Gilbert, 2001; Lederach, 1997; Minow, 2001; Tutu, 1999). Për sa kohë që nuk ka pranim jo vetëm nga udhëheqësit e grupit, por edhe nga pjesëtarët e tjerë të grupit se çfarë ka bërë grupi i tyre në të kaluarën, nuk mund të ketë dialog të vërtetë dhe kështu, pajtimi do të pengohet (Cohen, 2001). Përveç kontribuimit për zgjidhjen e konfliktit dhe pajtimin, të ofrosh pranim të përgjegjësisë ndaj atyre që janë viktimizuar, ofron mundësi për rikthimin e besimit ndërmjet grupeve dhe në fund, riparon marrëdhëniet (Dimitrijevic, 2006). Së dyti, është vëzhguar se kryerësit dhe grupet e tyre e kanë të vështirë të shërojnë plagët që kanë shkaktuar veprimet e tyre për sa kohë që zgjedhin të mohojnë ose arsyetojnë sjelljen e tyre (Ignatieff, 1994; Tutu, 1999). Arsyetimet, edhe pse kanë qëllime konkrete (p.sh., mbrojtje të identitetit), vetëm përforcojnë ciklin e hakmarrjes dhe retorikën e fajësimit. Përmes pranimit të sinqertë, kryerësit dhe të gjithë pjesëtarët e tjerë të grupit mund të largojnë nga vetja barrën apo, si e thotë Hannah Arendt (1987), të çlirohen nga trashëgimia kolektive. Së treti, njohja dhe pranimi i përgjegjësisë nga kolektivi përmban edhe nocionin e ‘kurrë më’ – shpresa se ekspozimi i së kaluarës do të parandalojë përsëritjen e saj në të ardhmen.
Me njohjen e përgjegjësisë dhe dhënien e dënimeve, mund të dekurajohet përsëritja e tmerreve në të ardhmen (Cohen, 2001). Së fundmi, do të sugjeroja edhe se njohja dhe pranimi i përgjegjësisë lidhur me veprimet e grupit të vet përbëjnë bazën fillestare psikologjike për emocione si empatia (p.sh., Branscombe & Doosje, 2004), që është zbuluar se i kontribuojnë proceseve pozitive të pajtimit (Čehajić-Clancy, Goldenberg, Gross & Halperin, 2016).
Pas kryerjes së tmerreve të rënda dhe masive, sidomos ato që përfshijnë vrasjen e të pafajshmëve, pyetja që lind është nëse mundemi që t’i mbajmë përgjegjës të gjithë pjesëtarët e grupit kolektivisht dhe moralisht për krimet që janë kryer në emrin e tyre. Po ata që s’kanë bërë asgjë të gabuar, apo që nuk kanë lindur ende, a janë automatikisht përgjegjës për krimet e kryera nga pjesëtarët e tjerë të grupit? A janë ata përgjegjës edhe nëse nuk kanë mbështetur apo toleruar kryerjen e atyre krimeve? Edhe pse ka konsensus lidhur me nevojën për të njohur përgjegjësinë kolektive për rikthim të marrëdhënieve pas konfliktit (p.sh., Minow, 1998; Tutu, 1999), pyetja nëse është e drejtë të theksohet përgjegjësia e të gjithë individëve që i përkasin grupit të kryerësit mund të debatohet ende. Nga njëra anë, mund të argumentohet se nëse ‘përgjegjësia’ i referohet ekskluzivisht sjelljes specifike individuale, nocioni i ‘përgjegjësisë kolektive’ nuk ka shumë kuptim. Në këtë këndvështrim, do të ishte e papërshtatshme që të fajësohen njerëzit për diçka që as e kanë bërë, as kanë patur qëllim ta bëjnë. Ndryshe nga përgjegjësia personale ose individuale, në rastin e përgjegjësisë kolektive nuk është e mundur të provohet ose të shfaqet lidhja shkakësore ndërmjet secilit dhe të gjithë pjesëtarëve të grupeve apo krimeve të kryera. Nga ana tjetër, disa njerëz e kanë quajtur përgjegjësinë kolektive si detyrë morale për të reaguar ndaj krimeve të kryera në emrin e tyre dhe si kategori praktike që është parakusht për pajtim afatgjatë (Dimitrijevic, 2006). Edhe pse pajtohem se pranimi i përgjegjësisë për sjelljen e grupit në të kaluarën mund të jetë vërtetë përjashtim jo në rregull, pranimi i përgjegjësisë për pasojat dhe implikimet e sjelljes në grup mund të jetë kërkesë etike bindëse. Përkufizimi logjik i këtij nocioni varet kryesisht nga natyra e krimeve që janë kryer dhe nga karakteri i identitetit grupor. Përgjegjësia kolektive morale rrjedh nga fakti se personat që janë pjesëtarë të grupeve të ndryshme që formësojnë se kush janë këta persona dhe fakti se secili person është të paktën në një shkallë i implikuar me atë që bëjnë anëtarët e tjerë të grupit (May, 1992). Sidomos në situata ku janë kryer krime kolektive, të flasësh për përgjegjësinë kolektive bëhet edhe më bindëse.
Si përfundim, edhe kur duket se nuk ka asgjë se çfarë mund të bëhet për të parandaluar të keqen në botë, individi ka përgjegjësi të distancohet nga ajo e keqe, të paktën duke mos e harruar. Të jesh i përgjegjshëm moralisht ose politikisht është diçka që kërkon shumë punë; nuk është thjesht çështje e konformitetit me një listë rregullash minimale. Përgjegjësia morale është barrë e rëndë për të gjithë ne, nga e cila anëtarët e një moshe shumë vetë-toleruese duan të ikin. Kjo tendencë drejt moskujdesit dhe rehatisë duket se përkeqësohet kur njerëzit janë në grupe ose organizata si ato që ekzistojnë në kontekst të konfliktit ndërmjet grupeve. Unë besoj se të pajtohesh më të kaluarën është imperativ politik dhe psikologjik për çdo shoqëri pas konflikteve që synon drejt një të ardhmeje demokratike të bazuar tek sundimi i ligjit dhe respekti për të drejtat e njeriut. Ballafaqimi me një të kaluar të shenjuar nga shumë tmerre kolektive dhe shkelje të të drejtave të njeriut përmes pranimit të përgjegjësisë morale kolektive është, në pikëpamjen time, parakusht për rikrijimin e një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të bazuar tek e vërteta, drejtësia dhe pajtimi. Mirëpo kjo nuk duhet të nënkuptojë se proceset e tjera sociale dhe politike, si krijimi i të vërtetës dhe drejtësisë, nuk janë po aq të rëndësishme sa edhe pranimi i përgjegjësisë morale kolektive për krijimin e një shoqërie të pajtuar dhe të drejtë.
Referencat
Arendt, H. (1987). Collective Responsibility. In, J. Bernauer (Eds.). Amor Mundi: Explorations in the Faith and Thought of Hannah Arendt (pp. 43-50). Dodrecht: Martinus Nijhoff.
Bar-Tal, D. (2000). Shared beliefs in a society: social psychological analysis. Thousand Oaks, CA: Sage.
Branscombe, N. R., & Doosje, B. (2004). Collective Guilt: international perspectives. New York: Cambridge University Press.
Čehajić, S., & Brown, R. (2010). Silencing the past: contact effect on acknowledgment of ingroup responsibility. Social Psychological and Personality Science, 1(2),190-196.
Čehajić-Clancy, S., Goldenberg, A., Halperin E., & Gross, J. (2016). Social-psychological interventions for intergroup reconciliation: an emotion regulation perspective. Psychological Inquiry, 27(2), 73-88.
Cohen, S. (2001). States of Denial: Knowing about Atrocities and Suffering. Cambridge Polity Press.
Dimitrijevic, N. (2006). Moral Responsibility for Collective Crime. Belgrade Circle. Journal, Special Issue Community of Memory, 1-4, 25-44. Gilbert, M. (2001). Collective remorse. In A. Jokic (Ed.): War crimes and collective wrongdoings (pp. 216-235). Oxford: Blackwell.
Ignatieff, M. (1994). Blood and Belonging. Journeys into the New Nationalism. London:Vintage.
Lederach, J. P. (1997). Building Peace: sustainable reconciliation in divided societies. Washington, D. C.: United States Institute of Peace Press.
Leach, C., Zeinnedine, F., & Čehajić, S. (2012). Moral immemorial: The rarity of self-criticism for previous generations’ genocide. In, J. Vollhardt and M. Bilewicz (Eds.) “The Aftermath of Genocide: Psychological Perspectives,” Journal of Social Issues, 69(1), 34-53.
May, L. (1992). Sharing Responsibility. The University of Chicago Press.
Minow, M. (1998). Between Vengeance and Forgiveness: Facing History after Genocide and Mass Violence. Boston: Beacon Press.
Nadler, A., & Liviatan, I. (2004). Intergroup Reconciliation Process in Israel: Theoretical Analysis and Empirical Findings. In N. R. Branscombe & B. Doosje (Eds.), Collective Guilt: International Perspectives (pp. 216-235). Cambridge: University Press.
Tutu, D. (1999). No future without forgiveness. London: Rider.
Autorja e ka marrë titullit e doktoraturës (“Përgjegjësia dhe mohimi: paraprirës të njohjes, përgjegjësisë dhe fajit kolektiv”) në psikologji sociale nga Universiteti i Saseksit. Aktualisht, ajo është Profesore e Asociuar pranë Universitetit të Sarajevës, Shkolla për shkenca dhe Teknologji, ku ka themeluar dhe drejtuar Institutin e Ballkanit për Zgjidhje të Konflikteve, Përgjegjësi dhe Pajtim. Aktualisht po zhvillon një hulumtim pranë Universitetit të Stanfordit si Studiuese me bursë Fulbright për çështje që kanë të bëjnë me rregullimin e emocioneve në kontekst të konfliktit.