Realizimi i ëndrrës përmes aktivizmit dhe thirrjes për paqe

INTERVISTË ME EDITA TAHIRIN

Në këtë intervistë, Dafina Lata bisedon me Edita Tahirin, e cila ka qenë pjesë e delegacionit në Konferenën e Paqes në Rambuje dhe Kryenegociatore e dialogut për normalizim me Serbinë në Bruksel, nga viti 2011 deri në 2017.

Zonja Tahiri, fillimisht do të flasim për kohën e viteve të 90-ta. Si e kujtoni atë kohë?

Tahiri: Vitet 1990-të ishin një kohë e vështirë për popullin shqiptar të Kosovës. Me pushtimin ushtarak, Serbia synonte ta pengonte Kosovën në ushtrimin e të drejtës për vetëvendosje, liri dhe pavarësi të popullit të Kosovës dhe të njësive të tjera federale (përfshirë Kroacinë, Slloveninë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë), në kuadër të proceseve që e shpërbënë ish-Jugosllavinë.

Në këtë kontekst, unë u bëra një nga themelueset dhe udhëheqëset e Lëvizjes për Liri dhe Pavarësi. Kam luftuar për lirinë dhe pavarësinë me idealet e mia kombëtare. Nuk kisha frikë apo vështirësi, sepse isha e vendosur të mos tërhiqesha në asnjë çast nga rruga drejt lirisë. Qëllimi im ishte të sigurohesha se populli im nuk do ta përjetonte kurrë më dhunën, traumën dhe mizoritë që iu desh të kalonin gjatë asaj kohe. Prandaj, unë e përmend shpesh se kemi luftuar luftën njëshekullore për liri dhe pavarësi që gjeneratat e reja të mos e harrojnë historinë e vështirë të lirisë së Kosovës.

“Regjimi i Millosheviqit ushtroi terror shtetëror, vrau mijëra njerëz, shqiptarë, gra, vajza, fëmijë dhe të moshuar, përfshirë dhe dhunimin e mbi 20,000 grave gjatë luftës”.

 Sa ka qenë e vështirë për ju si grua, t’i bëni ballë ngjarjeve të asaj kohe?

Tahiri: Në organizuam rezistencën mbarëpopullore kundër pushtimit nga Serbia – ishim të vendosur dhe të palëkundur, të gatshëm të vdisnim për lirinë. Lëvizja mbarëpopullore për liri dhe pavarësi, e njohur si rezistenca paqësore u udhëhoq nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ajo rezistoi për pothuajse një dekadë duke krijuar një organizim paralel shtetëror dhe proces diplomatik me botën për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës, gjë që solli dhe krijimin e aleancës me SHBA-të. Në dy vitet e fundit u shfaq rezistenca ushtarake e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Që të dy llojet e rezistencës: LDK dhe UÇK shkruan historinë e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës që ne i gëzojmë që nga viti 1999 me përkrahjen e SHBA-ve dhe NATO-s që e bombarduan Serbinë.

“Për mua, ishte detyrë e posaçme dhe krenare që ta udhëhiqja dhe t’i shërbeja popullit shqiptar, që refuzoi t’i nënshtrohej agresionit serb, nën asnjë rrethanë, pavarësisht se u përball me vrasje, tortura ndër mizori”.

Duke qenë grua e zëshme, si ia keni dalë t’i bëni ballë stigmatizimit në atë kohë, e që fatkeqësisht vazhdon të jetë ende pjesë e shoqërisë?

Ishim shumë të bashkuar rreth idealeve kombëtare, ndaj nuk kishte hapësirë për dallime gjinore. Lufta jonë ishte kundër pushtuesve. Mirëpo, isha e vetmja grua në pozicion udhëheqës me 15 burra të Lëvizjes për Liri dhe Paqe (LDK), të udhëhequr nga Presidenti Rugova. Më respektonin dhe më dëgjonin, kurrë nuk vërejta në asnjë moment ndonjë dallim gjinor ndër vite. Edhe pse shumica ishin burra, mua, si grua, ma besuan diplomacinë. Unë isha Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës ndërmjet viteve 1989-1999, ku roli im diplomatik ishte ta ndërkombëtarizoja çështjen e Kosovës dhe t’i bindja aleatët perëndimorë, sidomos Amerikën, që ta mbështesnin Kosovën në rrugën e vet drejt lirisë dhe pavarësisë, diçka që edhe e arritëm. 

Kur flasim për vitet 90-të, sa e vështirë ka qenë të bëheshit aktive në Kosovë?

Tahiri: Ëndrra ime ishte liria dhe pavarësia për Kosovën. Qëllimi për ta bërë atë ëndërr realitet është forcë që të mban në lëvizje përballë sifdave të shumta. Nuk të lë të heqësh dorë, sidomos nëse njerëzit e tu vriten, atëherë ti vazhdimisht je në kërkim të një zgjidhjeje, të bësh sa më shumë që mundesh për njerëzit e tu. T’i ndihmosh, t’i inkurajosh dhe të marrësh prej tyre. Është po ashtu me rëndësi të theksoj se babai im ka qenë në burgje për shkak të luftës së tij për bashkimin kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë. Mua më kanë ushqyer me patriotizëm dhe jam arsimuar në Perëndim dhe kam mësuar anglisht në një kohë kur kjo gjë që më dha mjaftueshëm njohuri dhe kam kontribuar për lirinë dhe themelimin e shtetit të Kosovës që sot të gjithë e gëzojmë.

A është dëgjuar zëri gruas në pozitat vendimarrëse në vitet 1990-të dhe a mendoni që në formimin e shtetësisë së Kosovës, edhe gruaja ka pasur rolin e barabartë me burrat?

Tahiri: Vlen të theksoj se gratë kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm në Lëvizjen për Liri dhe Pavarësi, si dhe në lëvizjen paqësore dhe atë të armatosur. Po ashtu, edhe gratë e diasporës kanë dhënë kontribut, sepse diaspora iu bë krah i fortë popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Ju edhe pas luftës nuk u ndalët, vazhduat kontributin tuaj deri në formimin e shtetit të Kosovës, e po e vazhdoni edhe sot e kësaj dite. Keni qenë Zëvendëskryeministre, Ministre e Punëve të Jashtme, pastaj Kryenegociatore në bisedimet Kosovë – Serbi. Nga këto pozita që keni pasur,  cila ka qenë ngjarja që ju ka bërë të ndiheni më shumë krenare me veten tuaj?

Tahiri: Ngjarja historike për mua është pjesëmarrja në delegacionin e Kosovës në Konferencën e Paqes në Rambuje, që hapi rrugën për liri, ndaloi luftën në Kosovë dhe mizoritë masive ndaj shqiptarëve. La të hapur derën për pavarësinë e Kosovës si dhe nxiti bombardimin e Serbisë nga forcat e SHBA-ve dhe NATO-s.

Në bisedimet Kosovë – Serbi, për ju si grua, sa ishte e vështirë, pasi që kryesisht në tryezë të bisedimeve dominonin burrat, të ballafaqoheshit me gjithë ato bisedime jo edhe të lehta dhe të mbronit të drejtën e shtetit tonë

Tahiri: Si kryenegociatore në Dialogun e Brukselit nuk ka qenë e vështirë për mua, sepse kam pasur përvojë të konsiderueshme, sidomos përvoja nga negociatat e Rambujesë. Për mendimin tim, negociatat e paqes, që përcaktojnë kalimin nga lufta në paqe, janë të shumë vështira, sepse zhvillohen nën presion emocional. Në një anë, ke popullin në luftë e në anën tjetër, duhet të marrësh vendim të drejtë, që lufta të përfundojë, por që ëndrra e lirisë dhe pavarësisë të mbrohet.

Dialogu i Brukselit,  përkatësisht, negociatat e pasluftës, andaj janë më të lehta. Sepse popullin e ke në paqe dhe je fitimtare përballë okupatorit. Në Bruksel, Kosova kishte pozitën e fitimtarit të luftës kundër Serbisë. Këtë pozicion unë e mbaja në bisedime në Bruksel, ua kujtoja gjithë historinë e dhunshme kundër nesh, ndërkohë që mbroja interesat shtetërore dhe kombëtare. Suksesi kryesor është që me marrëveshjet e Brukselit kemi shtrirë sovranitetin e Kosovës në pjesën veriore si dhe kategorikisht nuk lejova tendenca për ndarje nga ana e Serbisë

“Dialogu është në fazën finale, njohja reciproke duhet të arrihet përmes marrëveshjes finale. Qeveria duhet të krijojë një ekip uniteti, sepse temat madhore janë kombëtare dhe shtetërore dhe bisedimet mund dhe duhet të jenë të suksesshme”.

Cila është porosia për gratë, që kanë qëllime për të qenë zonja të vetes?

Tahiri: Mendoj se lufta jonë për barazi gjinore duhet të fitohet duke vendosur kuotën 50% të pjesëmarrjes grave në qeveri në nivel qendror dhe lokal. Sepse duke ndarë pushtetin me barazi,  gratë askush nuk mund t’i largojë nga tavolina ku merren vendime për ardhmëri dhe zhvillim. Po ashtu, duhet të punojmë për transformimin e shoqërisë drejt një mendësie demokratike dhe për t’u çliruar nga patriarkalizmi.

Ky shkrim është produkt i trajnimit rajonal për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD-së.