Angazhimi i rinisë në proceset e pajtimit

Përgjatë historisë, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë tejet kompleks. Për disa, Ballkani ka prodhuar më shumë histori se sa që ka mundur të konsumojë dhe ky ka qenë shkak rrënjësor apo casus belli i konflikteve të shumta në vitet 1990-të. Ndërsa për kritikë të tjerë, diversiteti kulturor paraqet kërcënim potencial për rajonin. Diversiteti i Ballkanit i referohet faktit se asnjë nga gjashtë vendet e tij nuk është homogjen në kuptimin etnik, pavarësisht dhunës etnike apo edhe përpjekjeve për “spastrim etnik”. Në rajon ekziston një pasuri kulturore dhe më e rëndësishmja është të dihet se kultura nuk është statike, të gjitha kulturat evoluojnë.

Të rinjtë në Ballkanin Perëndimor sot përballen me shumë presione shoqërore, politike dhe ekonomike. Shumë nga këto sfida nuk kanë zgjidhje të lehta dhe e marrin formën nga narrativat politiko-populiste që ndikohen nga narrativat nacionaliste, paragjykimet dhe diskriminimi. Sfidat e kontekstit global aspak të qëndrueshëm dhe që po kalon nëpër ndryshime të shpejta mbeten të ndërthurura me trashëgimitë e pazgjidhura që burojnë nga historia e konflikteve të dhunshme në rajon.


Të rinjtë janë aktorë të rëndësishëm në kontekstin e proceseve të pajtimit në Ballkan, sepse të rinjtë e sotëm kanë lindur gjatë dhe pas konflikteve të viteve nëntëdhjetë në Ballkanin Perëndimor. Brezat e rinj janë rritur duke dëgjuar rrëfimet e së kaluarës dhe nën tingujt tmerrues të konflikteve të asaj kohe. Shumë prej tyre vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj traumave ndërbreznore, narrativave nacionaliste dhe shoqërive e sistemeve të arsimit që janë ndërtuar mbi ndasitë etnike. Ka që shqetësohen se të rinjtë e sotëm janë më të ngurtë në linjat e tyre të identitetit dhe në pikëpamjet e tyre për ‘tjetrin’, duke e bërë kohezionin shoqëror dhe paqen e qëndrueshme më të vështirë për t’u arritur. Ka të tjerë që e dallojnë dëshirën e zjarrtë në radhët e të rinjve të sotëm për të ecur përtej politikave identitare dhe për të jetuar normalisht në shoqëri të hapura, diverse dhe demokratike.

Të rinjtë në mbarë botën po luajnë një rol të jashtëzakonshëm për ndryshimet shoqërore. Gjithnjë e më shumë të rinj po demonstrojnë se janë forcë jetike dhe guximtare për ndryshim në çështje kritike si veprimi për klimën, të drejtat e njeriut, shëndeti, arsimi, antiracizmi, drejtësia shoqërore dhe parandalimi i dhunës. Në fakt, të rinjtë po shndërrohen në shtytës të rritjes së vetëdijësimit dhe fushatave për ndryshime shoqërore, duke ngritur zërat e tyre në të gjitha sferat e shoqërisë dhe duke u përfshirë direkt në gjetjen e zgjidhjeve të reja dhe më të mira për sfidat që ndikojnë në jetën e tyre. Ata nuk bëjnë vetëm ankesa, por edhe ofrojnë zgjidhje për problemet me të cilat përballen. Mirëpo pyetja e vërtetë për t’u adresuar është: deri në ç’masë dëgjohen idetë e tyre? A e vrasin mendjen politikanët për të rinjtë, apo vetëm i shohin si trup elektoral? Në bazë të raportit më të fundit të UNICEF-it “Rivitalizimi i Ballkanit Perëndimor: çfarë mendojnë të rinjtë?”[1] “më shumë se 60% e të rinjve në Ballkanin Perëndimor thonë se politikanët nuk e vrasin mendjen për mendimet dhe idetë e tyre”. Për më tepër, politikanët janë për t’u fajësuar për deklaratat e tyre që shumicën e kohës përmbajnë doza të gjuhës së urrejtjes dhe mund t’i provokojnë kombet drejt konflikteve në të ardhmen. Aktualisht, brezi i politikanëve në rajon, në një mënyrë apo në një tjetër i kanë përjetuar ose kanë qenë pjesë e konflikteve të viteve nëntëdhjetë dhe janë emocionalë për këtë. Për më tepër, ne kemi parë raste në të kaluarën kur afrohen zgjedhjet dhe politikanët që nuk kanë renditje të mirë nëpër anketa priren të luajnë kartën e nacionalizmit me anë të fjalimeve populiste, në përpjekje për të fituar më shumë vota ditën e votimeve. Kjo praktikë ka ndikuar keq tek të rinjtë në rajon dhe pjesërisht i ka formësuar opinionet e tyre sa i përket ballafaqimit me të kaluarën në Ballkan dhe ecjes përpara.

Për fat të keq, kriza e paprecedentë ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë mund të shkaktojë atë që njihet si “efekti domino” në rajon. Kjo për shkak të investimeve kapitale në të kaluarën në rajon nga Rusia. Sipas një hulumtimi nga Instituti Republikan Ndërkombëtar në mars 2020, rreth 44% e qytetarëve të Serbisë nuk janë në dijeni të atyre investimeve. Institucionet dhe qeveritë duhet të jenë syçelë se si do t’i qasen luftës që po vijon me qëllimin që të shmangin çdo “konflikt të pazgjidhur” nga e kaluara në rajon.

Çfarë mungon sa i përket përfshirjes së të rinjve në procesin e pajtimit?

Dy janë faktorët kryesorë që i kontribuojnë statukuosë së rajonit sa i përket pajtimit dhe ballafaqimit me të kaluarën, përkatësisht mjedisi familjar dhe ai shkollor. Personaliteti, sjellja dhe karakteri ynë krijohen dhe formësohen në familje, në shkollë dhe në universitet. Konteksti historik ku janë rritur prindërit tanë është ndryshe nga i yni dhe ekziston hendeku gjinor në të kuptuarin e narrativave që jetojmë sot. Mjedisi familjar është tregues nëse do të rritesh me idetë e respektimit të diversitetit dhe të kulturave të tjera apo do t’i perceptosh ato si kërcënim duke krijuar mendime deluzionale të përziera me urrejtje për dikë që nuk ka të njëjtën prejardhje si ti.

Nga ana tjetër, sistemi arsimor luan rol kyç në këtë diskutim, për shkak të rëndësisë së tij në shoqëri që të prodhojë intelektualë dhe t’i përgatisë ata për të ardhmen. Mirëpo, sistemi arsimor në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor është i ndarë. Për shembull, institucionet në Maqedoninë e Veriut kanë zbatuar politikën “një shkollë, dy ndërtesa’ për t’i ndarë nxënësit në bazë të etnisë dhe për të shmangur tensionet në rritje ndërmjet tyre. Këto politika të padobishme dhe të dështuara nuk kanë ndihmuar aspak në zgjidhjen e çështjeve ndërmjet dy grupeve më të mëdha etnike në Maqedoni, përkatësisht maqedonasit etnikë dhe shqiptarët etnikë, mirëpo i kanë kontribuar thellimit të polarizimit të shoqërisë dhe të vendit në Maqedoninë e Veriut. Ndarja kurrë nuk është zgjidhje, mirëpo është veprim frikacakësh nga politikanë dritëshkurtër të cilët gjithnjë refuzojnë të ballafaqohen me të kaluarën. Për më tepër, për të patur pajtim të suksesshëm në rajon, të rinjtë duhet të jenë pjesë e tij. Tani, është me rëndësi kyçe që të rinjtë e rajonit të angazhohen në kulturën e kujtesës, pajtimit dhe dialogut për të ecur përpara dhe për të mos bërë të njëjtat gabime si paraardhësit e tyre.

RRUGA PËRPARA PËR BALLKANIN

Mendoj se vendet e rajonit mund të kishin vepruar më mirë për të krijuar dhe ofruar më shumë skema shkëmbimesh për t’u mundësuar të rinjve të kuptojnë se diversiteti që kemi është pasuri me rëndësi dhe jo kërcënim. Shkëmbimet ndërkulturore janë mjet kryesor për të zgjidhur problemet e së kaluarës dhe për t’i afruar të rinjtë e vendeve të ndryshme me njëri-tjetrin nëpërmjet empatisë dhe solidaritetit. Rajoi ka filluar të përmirësohet në këtë aspekt, me krijimin në vitin 2016 të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor – RYCO që synon të promovojë frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të rinjve në rajon. Mirëpo ata duhet të fokusohen më shumë tek lidhja e të rinjve në rajon dhe jo tek puna e tyre e zakonshme burokratike. Për t’i kontribuar procesit të pajtimit, një strukturë si ajo duhet të bëjë përpjekje për të ofruar më shumë qasje dhe të krijojë mjedis miqësor për të rinjtë.

Zgjidhje tjetër që rajoni të bëjë përpara në kuptimin e pajtimit do të ishte reformimi i sistemeve të arsimit në Ballkan për të mos i fyer kulturat e tjera dhe për të vlerësuar diversitetin që kemi.

Për më tepër, Ballkani Perëndimor është copëza që i mungon mozaikut të Bashkimit Evropian, sepse që Bashkimi të jetë i plotë, e gjithë Evropa duhet të jetë pjesë e tij. Me integrimin në BE Ballkani do të jetë rajon me më shumë stabilitet dhe më i zhvilluar.

Unë jam optimist i palëkundur. Besoj në të ardhmen e ndritshme dhe në aftësinë tonë për ta ndërtuar atë së bashku. Jam aktivist i njohur për të drejtat e studentëve në Maqedoninë e Veriut. Jam ish-themelues dhe drejtues i lëvizjes së nxënësve shkollorë në Maqedoninë e Veriut ku kam shërbyer për katër vite. Jam folës motivues i shkëlqyer. Në shumë raste kanë ndarë përvojën time si drejtues i studentëve, si të fillohet një lëvizje dhe si të avokohet për kauza. Aktualisht, po shërbej si konsulent individual për zyrat e UNFPA-së në Shkup dhe si koordinator i projektit pranë Qendrës për Arsim dhe Zhvillim.


[1] Raporti i UNICEF-it 2021 – Rivitalizimi i Ballkanit Perëndimor: çfarë mendojnë të rinjtë? – https://bit.ly/3JxbogT