Përse gazetaria është mision i paqes?

Me besimin e fuqishëm se gazetaria, si forcë e përgjegjshme, profesionale dhe etike e gjuhës publike ka potencialin për të krijuar shoqëri demokratike dhe të hapur, në këtë artikull do të shpreh disa reflektime personale se përse e perceptoj gazetarinë si mision të paqes, sidomos në një shoqëri pas konfliktit sikurse Bosnja e Hercegovina, ku, nën ndikimin e politikave nacionaliste, ekzistojnë ndarazi së paku tre lloje të gjuhës publike, që e ngushtojnë rrënjësisht hapësirën për dialog të përbashkët dhe shkëmbim të përvojave. Në këtë mision, zëri i gazetarëve të rinj është segment me rëndësi në luftën gjithëpërfshirëse për shërim të shoqërisë.

Njerëzit që veprojnë publikisht dhe gjuha publike e të cilëve ka potencialin të ndikojë mbi nivele të ndryshme të shoqërisë kanë përgjegjësi të veçantë për të avokuar për zgjidhje paqësore në shoqëritë e ngarkuara nga lufta. Në vend se ta lënë opinionin publik në duart e zëdhënësve nacionalistë të urrejtjes, një rekomandim i mençur do të ishte që me gjithë zemër të krijohen hapësira publike për të edukuar të rinjtë e pangarkuar nga urrejtja dhe kështu, t’i kontribuohet ngritjes së standardeve të shkatërruara nga interesat individuale nacionaliste të ideologjive partiake që nuk janë në gjendje të artikulojnë një vizion për një shoqëri demokratike më të mirë, duke mos mohuar veçoritë individuale ose kolektive që kanë bashkëjetuar për shekuj si ornament dhe kapital i vlerës simbolike të ndërthurura thellë në Bosnje e Hercegovinë. Një vend për të gjithë njerëzit e tij. Të gjithë ata që ëndërrojnë për një të ardhme më të mirë lartë e poshtë magjisë së tij historike-gjeografike. Në vend se të vizatojnë skica patetike për një të “ardhme më të mirë”, le ta pyesim veten se çfarë është e mundur me të vërtetë. Dhe nëse është, çfarë mund të bëjmë për të tani? Sa për fillim, le ta rikthejmë besimin tek potenciali i rinisë sonë, tek fuqia e energjisë rinore që mundet, me të gjithë kundërshtimin e tyre, të rrënojë muret e ndasive; mure që janë ndërtuar për të penguar shkëmbimet e ndërsjella të vlerave pozitive, të njohurive, ndjesive dhe përvojave të mira nëpërmjet të cilave ata mund të mësojnë nga njëri-tjetri për empatinë dhe humanitetin, ndjeshmëritë dhe përkohshmërinë njerëzore. Për jetën dhe vdekjen. Për punën e zellshme. Për ëndrrat. Për ambiciet dhe dështimet. Për pasionin dhe dhimbjen. Për këto përvoja njerëzore që e bëjnë secilin person të jetë ai që është, i vërtetë në atë që ka përjetuar dhe i ka mbijetuar dhe ende, në mënyrë qenësore dhe ekzistenciale, të ngjashëm me të tjerët. A nuk janë këto themelet mbi të cilat ne mundemi, të bashkuar nga dashuria për atë që gjendet në thelbin tonë, të ndërtojmë shoqërinë e Bosnje e Hercegovinës të mbështetur mbi vlera pozitive? Një shoqëri ku bëhemi të vetëdijshëm për idenë se lufta është e keqja më e madhe që mund të prodhojë mendja e njeriut. Prandaj është me rëndësi për ne që ta nxjerrim mësimin tonë për aftësinë dhe nevojën që të kërkojmë falje, për kulturën e kujtesës së ndërtuar mbi mirëkuptimin për vuajtjen dhe dhimbjen; duke u betuar që kurrë më të mos përsëritet ajo dhimbje, humbje e shtëpisë apo e të dashurve, për askë, kurrë më.

Gazetaria është një forcë e fuqishme, prandaj është abuzuar përgjatë historisë dhe në të tashmen. Për shkak të fuqisë së saj që të arrijë tek njerëzit, ajo gjithnjë ka qenë joshëse për ndikimet negative, për përpjekjet që të përfshijnë implikime ideologjike – të vogla ose të mëdha – për interesa të tyre dhe qëllimkëqija, në thelbin e përmbajtjes së saj. Mirëpo kjo mundet dhe duhet të ndryshojë. Për shkak të jetëve tona dhe të jetëve të atyre që do të vijnë pas nesh. E bëjmë me fuqinë e angazhimit unik shoqëror dhe gazetaresk, të sigurtë se nuk ka alternativë të shoqërisë me vlera pozitive. Le të guxojmë dhe të hedhim një hap përpara me guxim jashtë guvave shpirtërore dhe intelektuale ku ata përpiqen të na fusin dhe të na bindin se aty jemi rehat, se si jetët tona janë më të vlefshme, më të mira, më të shtrenjta dhe më kuptimplote brenda këtyre salloneve të errëta ku prodhohet e liga dhe hakmarrja. Mirëpo, a nuk është ky një paradoks në vetvete? Ndërtimi i paqes është aktiviteti më me vlerë i Bosnje e Heregovinës pas luftës shkatërrimtare. Pas shumë vitesh të përlyera me gjak dhe lotë, të gjenocidit dhe kërkimin pas vdekjes për eshtrat e anëtarëve të familjes. Dhe pikërisht për shkak të kësaj, lapsi i gazetarëve në duart e një të riu nga Bosnja e Hercegovina, i pasuruar nga dëshira për paqe, më në fund mund të jetë objekti më i shenjtë ku të besojë publiku, i etur për një të nesërme më të mirë. Gazetarët janë aleatatët krenarë të të gjithë qytetarëve qëllimmirë; ata janë në shërbim të publikut, të së vërtetës, të dallimeve dhe të zhvillimit. Gazetarët janë pararoja e lirisë së mendimit, mbrojtësit e dinjitetit të punëtorëve. Ata janë shkëndija e shpresës në pyllin e errët të politikave nacionaliste të Bosnje e Hercegovinës, ku ndonjëherë humbasim të joshur nga narrativa e instrumentalizuar e tjetrit si armiku. Dhe frika nga ndryshimi është armiku më i madh për të gjithë ne. Frika për të ndryshuar shprehitë e këqija. Frika e ndryshimit të këndvështrimit sonë.

Të rinjtë gazetarë të Bosnje e Hercegovinës, që së shpejti do të bëhen rryma më e fuqishme, kanë një detyrë me rëndësi për t’i prerë lidhjet me praktikat e këqija të paraardhësve të tyre, të hedhin sytë nga shembujt pozitivë të gazetarisë në Bosnje e Hercegovinë dhe nën shembullin e tyre të shtrojnë rrugën për një valë të re të gazetarisë rinore të angazhuar në aspektin shoqëror, pacifiste, me mendim kritik. Potenciali për t’i dhënë fund imazhit publik kaotik të së kaluarës dhe revizionizmit është në duart e gazetarëve të rinj të cilët do të japin shembullin e tyre duke përdorur raportime mediatike objektive dhe faktike, të cilët do ta dërrmojnë matricën etno-nacionaliste dhe kështu, do t’i ndihmojnë ballafaqimit institucional me të kaluarën e vendit tonë dhe ndërtimit të paqes.

Vetëm të bashkuar, gazetarët e rinj nga i gjithë vendi mund të ecim me krenari drejt së ardhmes dhe t’i gëzohemi fryteve të fjalëve të shkruara si fara të mbjellura.

Nikola Vuçiq, gazetar, prezantues në TV, hulumtues. Redaktor dhe moderator i programit televiziv “Izvan okvira” në N1 BiH. Ai ka kryer studimet për letërsi krahasuese pranë Fakultetit të Filozofisë në Sarajevë, ku ka mbrojtur tezën për perspektivat e studimeve të letërsisë krahasuese të rajonit në gjuhësinë ndërkufitare. Gjatë punës së tij si gazetar, ai ka udhëhequr një sërë projektesh në fushën e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, ndërtimit të paqes dhe kulturës së kujtesës. Ai bashkëpunon me organizata të shoqërisë civile lokale dhe ndërkombëtare. Në fokusin e sferës akademike të aktiviteteve, ai bën hulumtime për kulturën bashkëkohore, politikat e identitetit dhe praktikat shoqërore dhe boton punime dhe publikime lidhur me këtë temë në revista të ndryshme, përfshirë edhe në revistën kroate Književna republika. Ai është autor i Kritika e maskulinitetit toksik (Critique of Toxic Masculinity), botuar në vitin 2021 nga organizata gjermane Friedrich Ebert Stiftung në gjuhët BKS dhe angleze.