Edhe një tekst për BE-në dhe drejtësinë tranzicionale në Ballkanin Perëndimor

Hyrja në këtë numër special kërkonte të dinte, ndër të tjera, se sa gjithëpërfshirëse dhe tërësore janë qasjet e ballafaqimit me të kaluarën që janë pjesë e Proceseve të Anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, është me rëndësi që të shkohet përtej deklaratave të zakonshme për, thënë butësisht, rezultatet “e përziera” të politikave kushtëzuese të BE-së në rajon, mungesën e vullnetit politik në nivel rajonal dhe vendor për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe për të ashtuquajturat stabilitokraci dhe zmbrapsjen e demokracisë. Është e rëndësishme që t’i kemi të gjitha këto parasysh, por po aq me rëndësi është edhe ta dimë se janë thjesht manifestime të çështjeve më të thella strukturore që nuk janë adresuar prej më shumë se dy dekadash të intervenimeve ndërkombëtare.   

Drejtësia tranzicionale (DT) është shndërruar në kornizën mbizotëruese të ballafaqimit me të kaluarën, një normë globale. Pavarësisht se është normë globale, apo pikërisht për këtë, DT-ja është e kufizuar dhe kufizuese në shumë mënyra. Kjo është parë jo vetëm nga zbatimi më pak se i kënaqshëm i saj në rajonin tonë pas Jugosllavisë, por edhe në një shumëllojshmëri të “rasteve” në mbarë botën. Ka shumë pabarazi strukturore dhe dëme për të cilat DT-ja e ka dëshmuar të mos jetë në gjendje t’i adresojë për shkak të kufizimeve konceptuale të mekanizmave të saj, të të kuptuarit të shtrembëruar të dhunës, si dhe të themeleve të saj ideologjike dhe të mishërimit brenda konceptit neoliberal të ndërtimit të paqes dhe të ndërlidhur me demokracinë. Sido që të jetë, DT-ja është ende normë në dispozicion që mund të përdoret me vetëdijen për kufizimet e saj (të shumta) dhe me planifikim sipas rastit se si të kompensohen mangësitë e saj.

Nëse fokusohemi tek konteksti pasjugosllav, ideja dhe rëndësia e zbatimit të DT-së u është “shitur” viktimave-të mbijetuarve dhe familjeve të të vrarëve dhe të të pagjeturve në rajon si mjet i drejtësisë për ankesat, dhimbjet dhe nevojat e tyre. Nga ana tjetër, BE-ja, si një nga zbatuesit kryesorë të kësaj norme në rajon, e promovon DT-në si ligjërimin e ri strategjik për promovimin e identitetit dhe ndërtimin normativ të pushtetit. Në marrëdhëniet e veta me rajonin BE-ja ka këmbëngulur, së paku në nivel të diskutimeve, për kërkesat e zakonshme për llogaridhënie, të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin. Sidoqoftë, intervenimet e BE-së gjatë dekadave të fundit në rajon kanë treguar se ajo është marrë më shumë me stabilitetin e përkufizuar ngushtë në rajonal se sa me disa konceptime më të thella, më të gjera apo më tërësore të drejtësisë që do të kishin shkundur elitat dhe strukturat e rrënjosura mbi padrejtësitë e luftërave dhe pasluftërave, dhunës dhe shkatërrimit. Për më tepër, BE-së i ka munguar një strategji afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse dhe ndoshta kjo mungesë shihet më së shumti në mbështetjen e tepruar të BE-së vetëm tek llogaridhënia gjyqësore nëpërmjet një mekanizmi, përkatësisht DT-së, duke e kushtëzuar progresin me hyrjen në bashkëpunim me Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (TNPJ).

Kjo nuk duhet të jetë befasi, duke patur parasysh se gjatë të gjithë kohës deri në fund të vitit 2015, drejtësia tranzicionale kryesisht mungonte në politikat e BE-së, megjithatë de facto ishte pjesë e programeve që i shtynte përpara Komisioni Evropian (programe për promovimin e drejtësisë, të të drejtave të njeriut, zgjerimit, zhvillimit etj.,), nëpërmjet Politikës së Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së dhe Komisionit të ndërlidhur për Strategjinë e Sigurisë dhe Mbrojtjes. Shpërndarja e dispozitave të DT-së në një shkallë të gjerë të politikave dhe udhëzuesve dhe mungesa e një kornize të përbashkët ka çuar në mospërputhje të konsiderueshme si dhe në një qasje të ngushtë dhe sektoriale ndaj DT-së. Mirëpo në nëntor 2015, BE-ja më në fund e miratoi Kornizën e Politikave për mbështetje ndaj Drejtësisë Tranzicionale, që theksonte nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse, afatgjatë dhe “specifike për kontekstin, në zotërim të aktorëve vendorë, ndaj drejtësisë tranzicionale, duke patur në zemër të drejtat dhe pjesëmarrjen e viktimave”. Gjithashtu, Korniza ka përfshirë edhe dimensionin gjinor të DT-së, si dhe aspektet ndëshkuese dhe restauruese të drejtësisë. Tingëllonte premtuese, së paku për një çast dhe së paku në letër.

Mirëpo tre vjet më vonë dhe një vit pas mbylljes së TNPJ-së, institucion ky që për dy dekada mbajti, në mënyrë jo të përsosur, barrën e pritshmërive kryesore të DT-së, Strategjia për Ballkanin Perëndimor 2018 e Komisionit Evropian as nuk pasqyronte, as nuk operacionalizonte premtimet e mëdha të Kornizës së vitit 2015, mirëpo prodhoi një konceptim mjaft të ngushtë të DT-së.

Që nga ajo periudhë e deri tani, sikurse e kam treguar dhe tjetërkund, ligjërimi i sektorit civil për “krizën e DT-së” është përdorur si përpjekje për të mobilizuar dhe siguruar përkrahje për vazhdimin e këtyre proceseve nëpërmjet krijimit të komisionit rajonal për të vërtetën, të njohur si RECOM. Në të gjithë rajonin janë organizuar disa mbledhje dhe konferenca, që kanë bërë pyetjen se çfarë hapash duhen ndërmarrë për t’u siguruar se ballafaqimi me të kaluarën vazhdon edhe pas mbylljes së TNPJ-së. Kjo ndjesi e krizës është e kuptueshme nëse kemi parasysh se pas gjithë këtyre viteve ende shumë gjëra janë të pazgjidhura dhe se edhe pas bashkimit me BE-në, sikurse tregon rasti i Kroacisë, përparësia e shtyrjes përpara të proceseve të DT-së çalon ndjeshëm. Mbi të gjitha, në pjesën më të madhe të rajonit kemi zhvillime politike shqetësuese, sidomos natyra gjithnjë e më autoritare e qarkut (qarqeve) sunduese në Serbi. Mirëpo, nevoja urgjente për ta larguar kërcënimin dhe parehatinë e të ashtuquajturës “kriza e DT-së” mund të kufizojë edhe spektrin e veprimeve të mundshme. Përpëlitja pa ndalur me ‘reagimet ndaj krizës’ shteron mendimin dhe energjinë (kreative dhe politike); pengon ndryshimet e kërkuara të sistemit, pasi “kriza” e bën kërkesë kryesore thjesht ‘vazhdimësinë’ e proceseve. Kjo mund të çojë në përsëritje të gabimeve të vjetra dhe në mbështetje të tepruar tek një mekanizëm, me shpresën se kjo do të funksiononte si ilaç për të gjitha trashëgimitë e dhunës dhe padrejtësive.

Për më tepër, procesi i anëtarësimit ka ngelur në vendnumëro dhe mund të shprehim dyshime serioze nëse gjendja aktuale e BE-së (dhe brenda saj) është e favorshme për ndjekjen e drejtësisë nëpërmjet qasjes(qasjeve) gjithëpërfshirëse për të adresuar padrejtësitë e së kaluarës (dhe së tashmes) dhe trashëgimitë e dhunës në Ballkanin Perëndimor. Për disa vite tashmë, duket se ndjekja e drejtësisë për krimet dhe shkatërrimin e jetëve dhe pronave që janë bërë në luftërat e viteve 1990 në Jugosllavi nuk kanë qenë në krye të listës së prioriteteve të BE-së. Kjo çështje është poshtë në listë, pasi BE-ja i ka dhënë prioritet sigurisë së kufijve të saj të jashtëm kundër rrjedhës së njerëzve në lëvizje, detyrë kjo për të cilën iu nevojitën liderët e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht shkeljeve të tyre (të shumta) të DT-së.  

Prandaj, kur të DT-ja të (ri)marrë vëmendjen, është me rëndësi të kemi parasysh se përveç procesve të papërfunduara që kanë të bëjnë me llogaridhënien, me nismat për rrëfimin dhe gjetjen e së vërtetës, kërkimi për të pagjeturit, si dhe reparacionet materiale tepër të nevojshme, ka shumë padrejtësi dhe shkelje që humbasin nëpër plasaritjet e normës së DT-së apo që edhe riprodhohen nëpërmjet zbatimit të kësaj norme. Këto ankesa duhen trajtuar. Lëvizja për drejtësinë tranzicionale (me shpresë në sinergji me lëvizjet e tjera socio-politike) në rajon, në BE dhe politikanët rajonalë) duhet të gjejnë mënyrën (mënyrat) për ta bërë këtë. Pa të gjithë këtë, nuk mund të flasim për qasje(t) “tërësore”.

Dr. Slagjana Llaziq, studiuese e paqes, hulumtimet e së cilës kanë eksploruar aspekte të drejtësisë tranzicionale, ndërtimit të paqes, paqes dhe ështjeve gjinore dhe politikave të kujtesës me fokus rajonal në kontekstin e pas-Jugosllavisë dhe Kolumbisë. Sllagjana është drejtuese dhe redaktore e podkastit Opinioni për Paqe dhe bashkëthemeluese e Yugoslawomen+ Collective.