KURRË MË? Nga Bosnja në Ukrainë

Sarajevë 1992 – Kiev 2022

Jemi dëshmitarë se edhe 30 vjet pas Sarajevës 1992, idetë e fashizmit, urrejtjes dhe ndasive janë ende më se të gjalla. Po ashtu janë edhe bejeta heroike për drejtësi, liri dhe paqe.

Qytetarët e Buçës, Kievit, Mariupolit dhe shumë qyteteve të tjera në Ukrainë jetojnë në terror, agresion dhe katastrofë humanitare. Shumë ngjashëm me qytetarët e Sarajevës në Bosnje e Hercegovinë gjatë viteve ’90-të, edhe ata janë në vijën e mbrojtjes së vlerave njerëzore dhe të qytetërimit evropian, të lirisë dhe jetesës në paqe.

Agresioni kundër Ukrainës nisi më 24 shkurt 2022. Gjatë 140 ditëve të para të agresionit, mijëra civilë, prej të cilëve qindra fëmijë, u vranë. Qindra mijëra humbën shtëpitë e tyre, mijëra ndërtesa u shkatërruan, përfshirë monumente kombëtare, spitale dhe ndërtesa historike. Ukrainasit jetojnë çdo ditë në terror, të rrethuar nga bombardimet dhe sulmet ushtarake.

Tani, Kievi është bërë qytet-pasqyrë e Sarajevës. Kujtimet e gjenocidit të kryer në Srebrenicë, tmerret e bëra në Prijedor, Vishegrad, Foça, Bosnjen Qendrore dhe në rajone të tjera po zgjohen brenda njerëzve në Bosnje e Hercegovinë teksa ata shohin Rusinë të përdorë metoda të ngjashme të luftës, manipulimit dhe mohimit, njësoj si ato që u përdorën gjatë dhe pas luftës në Bosnje e Hercegovinë.

Protesta e parë paqësore në Sarajevë në mbështetje të popullit të Ukrainës e titulluar “Ne jemi me Ukrainën”, organizuar nga Qendra për Hulumtime Pas Konfliktit më 9 prill 2022 (foto nga: Benisa Bibuljica)

Lufta në Bosnje e Hercegovinë përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqen në vitin 1995, por vendi ende përballet me politika destabilizuese, pretendime etno-nacionaliste dhe ndasi të vazhdueshme ndëretnike, edhe 26 vjet më pas. Ne jemi gjithashtu dëshmitarë të ndikimit dhe simpatisë proruse nga aktorët politikë në Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon të cilët, me politikën e përkrahjes apo neutralitetit, po e shkruajnë veten në faqet e gabuara të historisë së agresorit.

Përkrahja për Ukrainën sot nuk është as pyetje, as ide, por është detyrë për të gjithë ne që besojmë në drejtësi, barazi, tolerancë dhe paqe. Përkrahja për Ukrainën sot është përkrahje për zhvillimin e një Evrope që duam të gjithë dhe në të cilën besojmë – të një Evrope që jeton në dinjitet, liri dhe demokraci. Përkrahja për Ukrainën sot është përkrahje për të gjitha viktimat që kanë përjetuar dhe ende përjetojnë padrejtësi, krime dhe gjenocid nga Bosnja e Hercegovina, Ruanda, Siria, Jemeni…

Agresioni rus kundër Ukrainës na ka rikujtuar të gjithëve ne në Bosnje e Hercegovinë se sa e brishtë është paqja në të gjitha kontekstet ku postulatet e drejtësisë tranzicionale nuk janë përmbushur dhe ku procesi i ballafaqimit me të kaluarën nuk ka përfunduar. Na ka kujtuar të gjithëve se përpjekjet për ndërtim të paqes dhe parandalim të urrejtjes dhe dhunës janë detyra dhe përgjegjësia e të gjithë aktorëve vendorë, qeverive dhe komunitetit ndërkombëtar. Detyra dhe përgjegjësia e tillë nuk merr fund kurrë.

Kur themelova Qendrën për Hulumtime Pas Konfliktit më shumë dhjetë vjet më parë, misioni i saj kryesor u bë ripërtëritja e kulturës së paqes dhe parandalimi i konflikteve të dhunshme në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet shfrytëzimit të qasjeve të dëshmuara, shumëdisiplinore dhe inovative ndaj edukimit për paqe, kreativitetit multimedial, parandalimit të konfliktit, hulumtimit pas konfliktit, të drejtave të njeriut dhe drejtësisë tranzicionale.

Kur u themelua Qendra jonë, shumica e shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar na konsideroi të “çuditshëm”, duke theksuar se nuk kishte nevojë të parandalohej një luftë që kishte marrë fund vetëm njëzet vjet më parë dhe se ne po fokusoheshim shumë tek temat “e mërzitshme” nga vitet nëntëdhjetë. E megjithatë, ja ku jemi, dëshmitarë se si shoqëria evropiane dështoi me përmbushjen e premtimit “kurrë më”. Në vend të kësaj, ne kemi mbetur me shpresën dhe përkushtimin që bazuar tek përvoja e vendit tonë, mund të ofrojmë ndihmë, njohje dhe mbështetje.

Velma Shariq është hulumtuese, gazetare, eksperte për ndërtimin e paqes dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut nga Sarajeva. Ajo ka mbi 20 vjet përvojë pune dhe aktualisht është themeluesja dhe Presidentja e Qendrës për Hulumtim Pas Konfliktit dhe themeluese dhe kryeredaktore e Balkan Discourse.