Metodija Andonov – Çento – Hero/Tradhëtar/Hero

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore çoi në realizimin e ëndrrës së kahmotshme të popullit maqedonas për të krijuar shtetin e vet. Përkatësisht, në Sesionin e Parë të ASNOM-it u shpall shteti i parë maqedonas. Në të njëjtin sesion u zgjodh edhe Presidiumi (Kryesia) i ASNOM-it. Metodija Andonov Çento u zgjodh si kryetari i parë i Presidiumit. Ky njeri është me siguri një nga figurat më të spikatura në historinë e Maqedonisë të shekullit të njëzetë.

Në atë drejtim, Metodija Andonov Çento ishte një luftëtar i paepur për çështjen kombëtare maqedonase. Edhe në rininë e tij, gjatë kohës së Mbretërisë së Jugosllavisë, Çentoja pati folur hapur për çështjen maqedonase. Mirëpo beteja e tij për çështjen kombëtare maqedonase u shpalos hapur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kështu, gjatë vitit 1943, menjëherë pasi u lirua nga burgu nën administrimin e Bullgarisë, Çentoja u bashkua me partizanët dhe Luftën Nacional-Çlirimtare në Maqedoni. Pasi u bashkua me ta, ai menjëherë u bë udhëheqës i krahut pro-maqedonas brenda Luftës Nacional-Çlirimtare në Maqedoni. Gjatë vitit 1943, Metodija Andonov Çento pati disa mosmarrëveshje me delegatin e Shtabit të Lartë dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (KPJ-së) në Maqedoni, Svetozar Vukmanoviq – TEMPO. Kështu, në një rast gjatë asaj periudhe, Çentoja e shprehu pakënaqësinë e tij me veprimet e Svetozar Vukmanoviq – TEMPO-s para Josip Broz Titos, duke theksuar se shumë shpesh, ai nuk vepronte si delegat, por si kryekomandant.[1] Aktiviteti kaq i spikatur i Metodija Andonov Çentos bëri që ai të zgjidhej kryetar i Bordit të Nismës për të mbledhur ASNOM-in në vitin 1944. Duhet të theksojmë këtu se gjatë vitit 1944, gjatë përgatitjeve për të thirrur Sesionin e Parë të ASNOM-it, një delegacion i Bordit të Nismës, i udhëhequr nga Metodija Andonov Çento udhëtoi në ishullin e Visit për një takim me Josip Broz Titon, ku ai ngriti disa çështje kyçe, përfshirë edhe çështjen e bashkimit të popullit maqedonas.[2] Praktikisht, krahu pro-maqedonas brenda Luftës Nacional-Çlirimtare i udhëhequr nga Çento e mbështeste çlirimin kombëtar dhe luftën antifashiste në Maqedoni mbi themelet e traditës së Ilindenit. Prandaj dhe data 2 gusht (Ilindeni) u zgjodh si dita për të mbajtur Sesionin e Parë të ASNOM-it dhe po ashtu, shumica e anëtarëve të Presidiumit të ASNOM-it e madje edhe përbërja e anëtarësisë së ASNOM-it ishin luftëtarë nga Kryengritja e Ilindenit apo pasardhës të tyre. Për Çenton dhe anëtarët e krahut pro-maqedonas, nuk kishte dilemë se çështja maqedonase duhej të zgjidhej së brendshmi.

Përveç se ishte një luftëtar i madh për çështjen kombëtare maqedonase, Metodija Andonov Çento ishte një burrë me kapacitet të jashtëzakonshëm demokratik dhe luftëtar kundër padrejtësive në Jugosllavinë komuniste. Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe krijimi i Jugosllavisë solli në territorin e Maqedonisë padrejtësi të reja dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Së pari, pas përfundimit të luftës, nën maskën e konfrontimit me kundërshtarët dhe kolaboracionistët e regjimeve pushtuese, si në republikat e tjera të Jugosllavisë, ashtu edhe në Maqedoni, pati një shkallë të lartë të arbitraritetit dhe revanshizmit nga ana e autoriteteve të reja.[3] Në atë kohë, në territorin e Maqedonisë ekzistonte praktika e zbatimit të pjesshëm të procedurave ligjore, me lëshime të mëdha, ndërsa metodat mizore për marrjen në pyetje të të pandehurve ishin të shpeshta.[4] Gjithashtu, vitet e para të komunizmit në Jugosllavi dhe në Maqedoni u shenjuan nga pushkatime masive pa gjyq. Anëtarët e ASNOM-it, e sidomos Çentoja, i cili disa herë iu drejtua direkt Titos për t’u ankuar për rastet e dukshme, ishin kundër pushkatimeve të tilla masive pa gjyq.[5] Si përkrahës i sundimit të ligjit, Çentoja ishte kundërshtar i fuqishëm i proceseve të tilla pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sepse ato rezultuan në vrasjen e shumë njerëzve të pafajshëm me pikëpamje dhe/ose qëndrime demokratike për një pavarësi edhe më të madhe të Maqedonisë nga Federata Jugosllave. Po ashtu, Çentoja ishte kritik i fuqishëm i reformës agrare në Jugosllavi, i centralizimit të federatës Jugosllave, si dhe i metodave jodemokratike të PKJ-së dhe OZNA-s. Të gjithë këta faktorë bënë që Metodija Andonov Çento dhe krahu pro-maqedonas brenda Luftës Nacional-Çlirimtare të bëheshin halë në sy për elitën politike komuniste jugosllave.

Kështu, pas Sesionit të Parë të ASNOM-it, PKJ-ja nisi aktivitete që në fund të vitit 1945 çuan drejt marrjes së pushtetit në Maqedoni nga krahu pro-jugosllav i Llazar Kolishevskit, si dhe drejt fillimit të spastrimeve dhe eliminimit të krahut pro-maqedonas brenda Partisë Komuniste dhe Maqedonisë.

Metodija Andonov Çento ishte i pari që u godit nga ky eliminim. Kryesisht, kjo ndodhi përmes dorëheqjes së tij nga Presidiumi i Kuvendit Kombëtar të Maqedonisë, që eventualisht rezultoi në arrestimin e tij sekret dhe organizimin e një gjyqi të fabrikuar kundër tij. Epilogu i këtij gjyqi të fabrikuar kundër Çentos ishte dënimi me 11 vjet burgim, si dhe humbja e të drejtave politike për 5 vjet pas vuajtjes së dënimit me burgim për organizim të një bande të armatosur dhe për tentativa të kapërcimit të kufirit që t’i nxiste shtetet e huaja të ndërhynin në punët e brendshme të Republikës Popullore Federale të Jugosllavisë (RPFJ), që do të kishte cenuar pavarësinë dhe paprekshmërinë e territorit të vet.[6] Për shkak të shëndetit të ligë, Metodija Andonov Çento u lirua nga burgu pas 9 vitesh. Mirëpo, Çentos nuk iu lejua të merrte pashaportë për të shkuar në Zvicër për trajtim. Kështu, pas një sëmundjeje të gjatë nga kanceri gastrik, Metodija Andonov Çento vdiq më 24 korrik 1957, në vendlindjen e tij në Prilep.

Për shumë vite pas vdekjes së tij, Metodija Andonov Çento ishte temë e ndaluar në Maqedoni. Si tradhëtar dhe armik i popullit, Çento nuk pati vend në historinë e Maqedonisë nga viti 1945 deri në vitin 1990. Mirëpo, rënia e komunizmit dhe ndryshimet gjatë viteve 1989 dhe 1990 çuan në ndryshime të qëndrimeve ndaj Metodija Andonov Çentos. Që nga viti 1990, shoqëria maqedonase ndjeu nevojën për ta korigjuar padrejtësinë ndaj Çentos. Prandaj, në vitin 1990, vendimi i gjyqit të vitit 1946 kundër Çentos u përmbys. Më këtë veprim, Metodija Andonov Çento u bë e vetmja viktimë e regjimit komunist në Maqedoni që u rehabilitua ligjërisht. Përveç rehabilitimit ligjërisht, periudha pas vitit 1991 solli edhe rehabilitimin e tij politik. Kështu, sot Çentoja ka vend me rëndësi në historinë e Maqedonisë dhe homazhet për karakterin dhe punën e tij theksohen vazhdimisht përmes repracioneve të ndryshme simbolike (ngritja e monumenteve në nderim të tij, riemërtimi i rrugëve në nderim të tij etj). Po ashtu, gjatë vitit 2010, Presidenti i Maqedonisë Gjorgi Ivanov, i ndau Çentos pas vdekjes Urdhërin e Republikës së Maqedonisë. Duhet të kemi parasysh se përgjatë viteve, karatkeri dhe puna e Metodija Andonov Çentos shpeshherë janë përdorur dhe abuzuar për pikë të ulëta politike. Kjo u bë sidomos e dukshme gjatë projektit Shkupi 2014. Mirëpo nuk ka dyshim se sot, Metodija Andonov Çento, edhe njëherë ka zënë vendin e merituar në historinë e Maqedonisë, si luftëtar i çështjes kombëtare maqedonase dhe luftëtar për drejtësinë. Një demokrat dhe hero i vërtetë maqedonas.

Marko Kërtolica punon si asistent profesor pranë Departamentit të së Drejtës Kushtetuese dhe Sistemeve Politike të Fakultetit të Drejtësisë “Iustinianus Primus” në Shkup, Maqedoni e Veriut. Ai ka diplomuar për Studime Politike nga i njëjti Fakulteti. Pas diplomimit, ai regjistroi masterin në drejtimin e Integrimeve Evropiane dhe Rajonalizmit, organizuar nga Universiteti Carl Frances në Grac dhe Universiteti Autonom i Barcelonës. Ai i përfundoi studimet master në vitin 2010. Në vitin 2012, Marko Kërtolica regjistroi studimet e doktoraturës në Sisteme Politike pranë Fakultetit të Drejtësisë “Iustinianus Primus” në Shkup. Ai e mori gradën PhD në vitin 2019 me temën: “Drejtësia tranzicionale dhe zbatimi i saj në ballafaqim me të kaluarën komuniste në Evropë”.


[1]Todor Çepreganov, Sonja Nikolova dhe Zoran Neçev, “AVNOJ – ASNOM – Jalta – 8 shtator 1991 dhe shtetësia e Maqedonisë “, Punimet e takimit shkencor me rastin e përvjetorit të shtatëdhjetë të Sesionit të Parë të ASNOM-it (2014): 146.

[2]Violeta Açkoska, “Krijimi dhe zhvillimi i shtetit bashkëkohor maqedonas (1941 – 1991)”, në Krijimi i shtetit bashkëkohor maqedonas (Shkup: Makedonika litera, 2014), 122.

[3]Misho Dokmanoviq, Ligji dhe politika në Maqedoni (1946 – 1953) (Shkup: ISIE, 2010), 156.

[4]Dokmanoviq, Ligji dhe politika në Maqedoni, 155.

[5]Dimitar Mirçev, “A kishte filozofi dhe ideologji ASNOM-i,” Punimet e takimit shkencor me rastin e shënimit të përvjetorit të shtatëdhjetë të Sesionit të Parë të ASNOM-it (2014): 59.

[6]Dokmanoviq, Ligji dhe politika në Maqedoni, 158.