Ndryshimi i teksteve mësimore të historisë parakusht për normalizimin e marrëdhënieve

Ky shkrim synon të vërë nën objektiv qasjen ndaj zhvillimeve në Kosovë në harkun gati njëshekullor (1912-2000) nëpër tekstet mësimore për shkolla fillore e të mesme të Kosovës e të Serbisë, të miratuara nga ministritë përkatëse të arsimit, me qëllim që të krahasojë përshkrimet e bëra në këto historiografi duke i nxjerrë ngjashmëritë dhe dallimet mes tyre. Në këtë shkrim trajtohen disa prej periudhave më të rëndësishme të historisë së shekullit të fundit të Kosovës, duke vënë në pah shpërputhjet mes historiografive në fjalë, por edhe falsifikimet përkatëse të cilësdo palë.

Në mënyrë të tërthortë, ky shkrimi mëton të nxjerrë në pah edhe se çfarë marrëdhëniesh ndërfqinjësore po u sugjerojnë nëpërmjet këtyre teksteve, qeveritë e këtyre vendeve, brezave që po i arsimojnë. Shkrimi pretendon të shpalosë, në mënyrë sa më të qartë dhe të faktografuar, atë që është baza e pretendimeve shpesh kundërshtuese ndërmjet dy popujve që përplasen në Kosovë.

Dallime të qarta dhe të shumta hetohen në qasjen e historiografisë shkollore të Serbisë dhe të Kosovës ndaj zhvillimeve në territorin e Kosovës në harkun gati njëshekullor (1912-2000). Këto dallime mund të grupohen si më poshtë:

Pronësia ndaj territorit

Depërtimi i ushtrisë serbe në territorin e Kosovës në fund të vitit 1912 prezentohet në mënyra të përkundërta në tekstet e Serbisë dhe në ato të Kosovës. Kjo meqë palët pretendojnë pronësinë ndaj territorit të Kosovës. Mënyra se si prezentohet çlirimi, përkatësisht okupimi i Kosovës, jo vetëm më 1912, por edhe më 1918 e 1945, përvijon nacionalizëm ofensiv në tekstet e Serbisë, kurse në ato të Kosovës nacionalizëm defensiv. Në tekstet e Serbisë ky depërtim i ushtrisë serbe paraqitet si çlirim i djepit të shtetësisë së Serbisë, kurse depërtimi në Detin Adriatik si plotësim i njërit prej qëllimeve të luftës. Në tekstet e Kosovës futja e trupave serbe në Kosovë prezentohet si okupim, i cili thuhet të ketë ardhë si pasojë e pozitës së vështirë të shqiptarëve.

Krimet e palës tjetër

Segmenti më i rëndësishëm i historisë së Kosovës në harkun kohor 1912-2000 janë krimet e palës serbe, të organizuar në ushtri e polici të rregullt, kundër shqiptarëve; si dhe krimet e palës shqiptare, të paorganizuara, individuale, e hakmarrëse kundër serbëve. Tekstet shkollore të këtyre palëve i prezentojnë vetëm krimet e palës tjetër, duke e paraqitur veten viktimë, kurse tjetrin si agresor.

Tekstet e Kosovës i paraqesin vetëm krimet e palës serbe ndaj shqiptarëve në vitet 1912, 1918-1919, pastaj gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, më 1945 dhe mbas LDB-së, si dhe gjatë luftës 1998-1999. Në këto tekste këto krime kualifikohen si: “veprime terroriste e gjakatare”; “dhunë e terror shovinist”; “terror e gjenocid shtetëror” ose “skena të llahtarshme të barbarisë së eskadroneve gjakatare”. Rrallëherë këto tekste ofrojnë të dhëna për t’i kuantifikuar krimet e palës serbe, e edhe kur i ofrojnë, ato dalin të ekzagjeruara.

Tekstet e Serbisë i paraqesin vetëm krimet e palës shqiptare ndaj serbëve në vitet 1915, 1941-1943, 1999-2000 duke i kualifikuar si: “sulmet e bandave lokale shqiptare”, “terrori i shqiptarëve ndaj serbëve” ose “plaçkitjet dhe konfrontimet e grupeve terroriste shqiptare me forcat e rendit”. Këto tekste kryesisht nuk japin të dhëna për këto krime.

Bashkëpunimet e heshtura

Ndërsa depërtimet e ushtrisë serbe në Kosovë dhe krimet e palëve prezentohen në mënyra të ndryshme, në asnjërën prej teksteve të të dyja vendeve nuk prezantohen takimet, marrëveshjet e bashkëpunimet e përfaqësuesve politikë e ushtarakë të shqiptarëve me ata të serbëve. Nëpër tekstet e këtyre vendeve nuk përmendet askund:

  • bashkëpunimi i disa prej liderëve kryesorë kryengritës shqiptarë (1912) me përfaqësuesit serbë në Prishtinë, prej të cilëve marrin edhe armë për të luftuar kundër Perandorisë Osmane;
  • takimi i udhëheqësit të lëvizjes kaçake të shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi (mbas Luftës së Parë Botërore) me autoritetet lokale serbe për të jetuar i patrazuar, me kusht që të lëvizë vetëm brenda tri fshatrave; më pas edhe takimi i tij me zyrtarë të lartë serbë, kur kërkon që Kosova të ketë të drejtë për vetëqeverisje;
  • bashkëpunimi i Shoqatës për të Drejtën për Mbrojtjen e Islamit (mbas Luftës së Parë Botërore), e cila përfaqësonte shqiptarët në parlamentin serb, me dy partitë kryesore politike serbe në Jugosllavi demokratët dhe radikalët sa ndonjëherë edhe e ndante të njëjtën listë elektorale me këto parti politike;
  • bashkëpunimi i ngushtë i komunistëve shqiptarë të Kosovës (gjatë dhe mbas Luftës së Dytë Botërore) me komunistët serbo-jugosllavë; ose pjesëmarrja dhe aplaudimi i tyre në kuvendin ku vendoset që Kosova të jetë pjesë e Serbisë federale;
  • marrëveshja e udhëheqësit të rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës (1996) me presidentin serb për lirimin e objekteve shkollore e universitare për shqiptarët në Kosovë; më pas edhe takimi mes tyre për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën (1998).

Pra, pretendimi për pronësi ndaj territorit të Kosovës; prezantimi vetëm i krimeve të palës tjetër, duke e nxjerrë veten viktimë kundrejt tjetrit agresor; si dhe heshtja e bashkëpunimeve, takimeve e marrëveshjeve shqiptaro-serbe, tregojnë se palët nuk e mbjellin tek brezat e rinj frymën e pajtimit. Për të patur pajtim mes dy popujve duhet t’i kemi parasysh tri gjëra që i sugjeron filozofi frëng Pol Rikër, kur flet për rrugët e afrimit të popujve të ndryshëm: njohja e kulturave të njëri-tjetrit, rivlerësimi me sy kritik i historisë së njëri-tjetrit, si dhe falja e mëkateve ndaj njëri-tjetrit.

Prandaj, na duhet një rivlerësim me sy kritik i historisë së marrëdhënieve shqiptaro-serbe, sidomos gjatë shekullit të kaluar, konkretisht te segmenti më i rëndë i këtyre marrëdhënieve në harkun kohor 1878-1999, e që janë: krimet e palës serbe kundër shqiptarëve, të kryera nga ushtria e policia e rregullt serbe; dhe krimet e palës shqiptare kundër serbëve, të paorganizuara, individuale, hakmarrëse, e për rrjedhojë edhe statistikisht dhjetëra herë më të pakta.

Shkëlzen Gashi ka studiuar Shkenca Politike pranë Universitetit të Prishtinës dhe Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në kuadër të programit të përbashkët studimor të Universiteteve të Bolonjës dhe Sarajevës për gradën master. Ai është autor I publikimeve të shumta (libra dhe artikuj). Në vitin 2010, ai ka publikuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit (gjendet në anglisht). Demaçi ka kaluar 28 vite nëpër burgjet jugosllave. Rishtazi, ai ka botuar shumë artikuj për paraqitjen e historisë së Kosovës në tekstet shkollore në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Ai është duke shkruar biografinë e Ibrahim Rugovës, udhëheqësit të shqiptarëve të Kosovës në vitet 1989–2006.