Muzeumët e Kosovës: rast studimor për Muzeumin e Kujtesës së Familjës Berisha në Suharekëa

Peizazhi muzeologjik i Kosovës 

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 ka patur shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcave policore dhe ushtarake serbe dhe jugosllave: masakra, vrasje, zhdukje me dhunë, përdhunime, burgime arbitrare, shkatërrim të shtëpive, qendrave të mjekësisë, fabrikave, ndërtesave fetare (kisha, xhami, teqe), monumenteve historike, dëbime të dhunshme (brenda dhe jashtë Kosovës), plaçkitje e me radhë. Për fat të keq, gjatë luftës së viteve 1998-1999, asnjë prej monumenteve të rëndësishme që u shkatërruan nuk janë ruajtur. Edhe ato që janë ruajtur nuk janë konservuar apo transformuar në muzeum. Për fat të keqm përpjekjet për ta paraqitur këtë periudhë të rëndësishme të historisë sonë nëpër muzeume ka rezultuar në paraqitje joprofesionale dhe joobjektive.

Hulumtimi, dokumentimi, qasjet muzeologjike dhe metodologjike për këtë periudhë dhe ligjërimet shoqëruese lidhur me luftën dhe ndikimet e saj në Kosovë janë bërë në mënyrë skajshmërisht supërfaqësore dhe rrjedhimisht, përfaqësimi i ligjërimeve, grupeve dhe komuniteteve ka qenë tërësisht i varfër, tekstet janë të hartuara dobët, pa u rishikuar, redaktuar apo korrektuar. Për më tepër, tekstet janë kryesisht në gjuhën shqipe vetëm dhe shumë rrallë në srbisht apo anglisht. Edhe pse kur përmbajtja e teksteve në gjuhën shqipe nuk është e duhur, nuk ka se si përkthimet në anglisht apo serbisht të jenë të duhura. Koleksionimi dhe përzgjedhja e fotografive, materialit në video dhe artefakteve është bërë aq shpejt e shpejt dhe le të mos flasin për dizajnet që duhen sikur të jenë bërë nga entuziastë krejtësisht rishtarë.

Të dy komunitetet më të mëdha në Kosovë, shqiptarët dhe serbët dhe të dy vendet e përfshira në luftën në Kosovë në vitet 1998-1999, pra Kosova dhe Serbia, paraqesin vetëm shkeljet e së drejtës humanitare ndërkombëtare nga pala tjetër, madje duke i ekzagjeruar ato dhe duke përdorur gjuhë të urrejtjes. Kështu, palët jo vetëm që nuk e kultivojnë shpirtin e pajtimit ndërmjet brezave më të rinj, por në të vërtetë po thellojnë më tej armiqësinë. Asnjë nga muzetë e Kosovës, qoftë në nivel qendror apo lokal, kur paraqesin krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 nuk i përkujtojnë viktimat e luftës në Kosovë pa dallim etnie, gjuhe, feje, gjinie, orientimi politik apo dallimi tjetër. Mënyra se si këto ngjarje paraqiten nuk i bën nder viktimave të luftës në Kosovës gjatë viteve 1998-1999 dhe nuk i shërben as si mjet edukativ-informues për brezat e ardhshëm, apo si mjet informues për gazetarët, diplomatët, politikanët, studiuesit dhe turistët.

Rast studimor: Muzeu i Familjes Berisha në Suharekë

Pasi vëzhguesit e OSBE-së u larguan nga Suhareka më 20 mars 1999 dhe sidomos pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave policore dhe ushtarake jugosllave më 24 mars 1999, këta të fundit e intensifikuan dhunën kundër civilëve shqiptarë. Kështu, në mesditën e datës 26 mars 1999, forcat policore jugosllave rrethuan shtëpinë e Nexhat dhe Faton Berishës, ku deri disa ditë më parë kishin qëndruar përfaqësuesit e OSBE-së; i nxorën jashtë pjesëtarët e familjes dhe vranë pesë burra dhe një grua përballë shtëpisë. Ata i detyruan të tjerët të largohen, mirëpo, kur ata arriten në Shtëpinë e Mallrave, disa dhjetëra metra larg shtëpive të Berishave, rreth 40 pjesëtarë të këtyre familjeve, kryesisht gra dhe fëmijë, u futën brenda kafenesë ‘Calabria’.

Pastaj, pjesëtarët e forcave policore serbe zbrazën armët e tyre me breshëri ndaj civilëve brenda në kafene. Policia u largua, por u rikthyen pak më vonë, me siguri pasi kishin dëgjuar zërat e ndonjë të plagosuri dhe hodhën brenda granata dore. Më vonë, ata vendosën që trupat e tyre t’i ngarkonin në kamion. Tre njerëz që gjendeshin të rrethuar nga të vdekurit u hoqën sikur ishin të vdekur dhe ata. Diku në mes të rrugës në drejtim të Prizrenit, tre të plagosurit: Shyhrete Berisha dhe më vonë kunata e saj Vjollca me djalin e vet gjashtë-vjeçar Gramozin u hodhën nga kamioni. Banorët e zonës ku u gjetën u ofruan ndihmë mjekësore dhe u kujdesën për ta dhe disa javë më vonë, u ndihmuan të kalonin në anën tjetër, në Shqipëri. 

Forcat policore i varrosën trupat e të masakruarve në kafenenë ‘Calabria’ në poligonin e Ushtrisë Jugosllave, në afërsi të Prizrenit, vend që njihej si Kroni i Popit. Mirëpo, në fillim të prillit 1999, punëtorët e ndërmarrjes së pastrimit ‘Higijena’ të Prizrenit, duke vepruar sipas urdhërave të MUP-it, i zhvarrosën dhe i transportuan në varrezën masive në Batajnica, Serbi, prej disa prej tyre u zhvarrosën në vitin 2001. 

Sipas të dhënave nga HLC, më 26 mars 1999, forcat policore serbe në Suharekë vranë në total 49 persona nga familja Berisha. Nga të vrarët, 24 ishin meshkuj dhe 25 femra; 15 ishin nën moshën 16 vjeçare dhe më i riu nga të gjithë, Eron Berisha, një vjeç; tre ishin mbi 65 vjeç dhe më e moshuara, Hatixhe Berisha, ishte 99 vjeç. Të gjithë ishin shqiptarë. Sot e kësaj dite, 20 të masakruar të familjes Berisha janë në listën e të zhdukurve.

Shyhrete Berisha, njëra nga të mbijetuarit, ka dëshmuar në TPNJ kundër Presidentit të RSFJ-së Sllobodan Millosheviq dhe më vonë kundër udhëheqësve kryesorë politikië, ushtarakë dhe policorë serbë dhe jugosllavë. TPNJ konstatoi në një aktgjykim se asnjë nga të ekzekutuarit në atë masakër nuk kishte qenë i armatosur dhe nuk kishte marrë pjesë në konfliktin e armatosur dhe se e vetmja arsye pse ishin vrarë ishte se ata ishin shqiptarë të Kosovës.

Vend i rrallë i përkujtimit në Kosovë 

Nuk di për ndonjë hapësirë tjetër në Kosovë ku të jenë kryer krime lufte ose krime kundër njerëzimit gjatë viteve 1998-1999 që të jetë ruajtur dhe vendosur nën mbrojtjen e organeve shtetërore lokale ose qendrore. Për fat, ndërtesa e kafenesë ‘Calabria’ është ruajtur ashtu si ka qenë, me të gjitha shenjat që dëshmojnë masakrën kundër familjes Berisha dhe është marrë nën pronësinë e Komunës së Suharekës, që e ka shndërruar në muze disa vite më parë. Kohëve të fundit, falë mbështetjes financiare nga kompania ‘Golden Eagle’ me rastin e 20 vjetorit të kësaj masakre, hapësira është konservuar.

Emrat e të gjithë personave të vrarë janë shkruar në Muzeun e Dëshmorëve të Familjes Berisha në Suharekë. Artefaktet, kryesisht veshje që u kanë takuar të masakruarve, të gjetura në varret e tyre në Kosovë dhe në Serbi si dhe fotografitë kryesisht të bëra nga familjarët gjatë zhvarrimit dhe rivarrimit janë vendosur në muze. Edhe pse është bërë shumë punë për ta ruajtur ndërtesën dhe shenjat në të dhe për ta vendosur të gjithë hapësirën nën pronësinë e komunës për t’u konservuar, ende mbetet shumë për t’u bërë.

Për ta përfunduar muzeun, do të ishte mirë që Komuna e Suharekës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me familjen Berisha, të caktojnë një ekip të përbërë nga hetues të krimeve të luftës, historianë, juristë, psikologë, arkitektë, dizajnerë, fotografë e kështu me radhë. Ky ekip do të ngarkohej me grumbullimin nga fotografë lokalë, rajonalë dhe ndërkombëtarë të të gjitha fotografive që kanë të bëjnë me këtë masakër; e materialeve në format të videos nga televizionet kosovare dhe serbe; e artikujve të botuar në gazetat lokale, rajonale dhe ndërkombëtare; e raporteve nga organizatat joqeveritare për të drejtat e njeriut në vend, rajon dhe mbarë botën dhe të vendimeve të autoriteteve gjyqësore të Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës për Jugosllavinë në Hagë.

Masakra kundër familjes Berisha në kafenenë ‘Calabria’ në Suharekë është pothuajse e vetmja për të cilën organet e drejtësisë në Beograd dhe në Hagë kanë nxjerrë vendime dhe të dhënat prej tyre duhet të ruhen në një muze si ky. Në shkurt 2009, TPNJ konstatoi përtej çdo dyshimi të bazuar se Sreten Llukiq, komandanti i Policisë serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 ishte përgjegjës edhe për masakrën në Suharekë, duke e dënuar atë me 20 vjet. Po ashtu, në shkurt 2011, TPNJ gjeti se Vlastimir Gjorgjeviq, kreu i Departamentit të Sigurisë Publike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë ishte fajtor për vrasjen e shqiptarëve të Kosovës, ndër të tjerë, në Suharekë dhe e dënoi me 27 vjet burgim. Më tutje, më 25 prill 2006 Prokurori për Krime Lufte në Serbi ngriti aktakuzë kundër tetë policëve serbë për këtë masakër. Pas gjykimit që zgjati tre vjet, Tribunali për Krime Lufte në Beograd shpalli fajtorë katërp rej të akuzuarve dhe e dënoi komandantin e policisë së Suharekës Radojko Repanoviq me 20 vjet dhe tre policët serbë, Slagjan Çukariq, Mirosllav Petkoviq dhe Millorad Nishaviq me 20, 15 dhe 13 vjet përkatësisht.

Të dhëna të tilla krijojnë kushtet për ligjërim gjithëpërfshirës rreth masakrës në kafenenë ‘Calabria’ në Suharekë më 26 mars 1999. Ky ligjërim duhet të shoqërohet me fotografi, video dhe artefakte, të gjitha të kuruara me shumë kujdes dhe profesionalizëm. Po ashtu, i gjithë teksti, përveç se të jetë në shqip dhe anglisht, duhet të vihet në dispozicion edhe në serbisht. Jo vetëm për shkak se serbishtja është ligjërisht gjuhë zyrtare në Kosovë, por edhe sepse vizitorët serbë të Kosovës dhe të Serbisë që vijnë në këtë muze të mësojnë se çfarë ka ndodhur në këtë hapësirë.


Shkëlzen Gashi ka studiuar për Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës dhe për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në programin e përbashkët studimor të Universiteteve të Bolonjës dhe Sarajevës për masterin e tij. Ai është autor i publikimeve të shumta (libra dhe artikuj). Në vitin 2010, ai ka publikuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit (gjendet në anglisht). Demaçi ka kaluar 28 vjet në burgjet jugosllave. Kohëve të fundit, ai ka publikuar artikuj të shumtë rreth paraqitjes së historisë së Kosovës në librat shkollore të historisë në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut. Aktualisht po shkruan një biografi të Ibrahim Rugovës, udhëheqësit të shqiptarëve në Kosovë në vitet 1989–2006.