Institucionet e kujtesës kulturore – probleme praktike

Ivana Haxhievska, MSc

Më kujtohet shumë qartë vizita ime në Muzeun e Teknologjisë dhe Çështjeve Detare në Malmo (Teknikens och Sjöfartens Hus) në vitin 2017. Menjëherë pas vizitës, duke klasifikuar përshtypjet, e kuptova se autorët e hapësirës kishin patur një ide fantastike se si ta përçonin që në hyrje konceptin e tyre, si dhe mesazhin edukativ dhe didaktik, duke e “mirëpritur” kështu vizitorin. Përkatësisht, që në hyrje të ekspozitës, pasi kaloje në holl dhe hapje derën minimaliste nga jashtë, përpara syve të shpalosej galeria e stërmadhe, në fakt, niveli i parë i ekspozitës së pasur me makineri, makina, anije, nëndetëse… përfaqësime të ndikimit të revolucionit industrial në historinë e Suedisë. Mirëpo, në këndin e majtë, pikërisht pranë derës kryesore, gjendej një element që mund të shihej vetëm me bishtin e syrit, ndërkohë që shikimin e vizitorëve e tërhiqte një hapësirë e pasur me objekte të stërmëdha të vendosura përballë shikuesit. Atje, në kënd gjendej një skulpturë e bardhë allçie, simulim i së famshmes Discobolos (hedhësi i diskut) nga Greqia antike – një element i vetëm që ndante dhe dallohej nga i gjithë mjedisi i mekanizuar, pothuajse retrofuturistik teknologjik. Pasi përfundova vizitën dhe përpunova narrativën e përkryer në aspektin kohor të ekspozitës, prania delikate e trupit të përkryer njerëzor në formë atletike, e vendosur në krye të ekspozitës, nisi të bëhet më e qartë për mua: ky element nuk ishte për të krijuar kënaqësi estetike, por më shumë si paralajmërim: rrëfimi paralajmërues i futurizmit evropian/italian, rreziku nga ideologjitë pas proceseve të modernizimit teknologjik, progresiviteti dhe mizoria e revolucionit industrial, maçoizmit, fashizmit dhe ideologjive të ngjashme sipas të cilave makineria-njeri duhet të shkatërrojë gjithçka që i shmanget modelit të vet. Kur ia dola mbanë ta deshifroj atë mesazh, u mahnita nga koncepti i autorëve, nga mënyra se si muzeu e kishte formuluar mesazhin e vet dhe padyshim, për mua si historiane e ekonomisë së shekullit të 20-të, ai mjedis ishte një nga më të mirët që kisha vizituar ndonjëherë, edhe pse profesioni im kërkon nga unë që të kaloj kohë shpesh në institucione dhe “shtëpi” të ndryshme të kujtesës kulturore.

Në fakt, kur duam të analizojmë mënyrat se si muzetë apo “shtëpitë” e tjera të (përfaqësimit)paraqitjes së kujtesës kulturore, “paketojnë” shtetin e tyre dhe produktet e tyre kulturore kombëtare, apo mënyrat se si ata me sukses (ose me dinakëri ekonomike) ndërlidhin narrativën e tyre tematike bazë me aspektin edukativ dhe didaktik dhe (ndonjëherë) krahas përpjekjeve për të tërhequr turistë, është mirë të dihet nga këndvështrimi i vetëdijësimit se muzetë gjithnjë janë institucione ideologjike dhe politike, që në shumë mënyra ndikojnë formësimin zyrtar të ideve për botën dhe marrëdhëniet në to. Ky fakt mund të pozicionohet në aspektin institucional dhe të paraprirjes drejt krijimit të koncepteve dhe narrativave epistemiologjike dhe metodologjike, me qasje përndritëse ndaj vizitorëve; ose në mënyrë institucionale dhe retrospektive ku mesazhet kulturore, qoftë në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, mobilizojnë disa entitete apo grupe të popullsisë, duke i zhveshur nga universaliteti.

Më lejoni t’i kthehemi shembullit praktik nga fillimi i tekstit dhe të shtoj edhe një tjetër – një shembull lokal. E frymëzuar nga Muzeu i Teknologjisë në Malmo, nisa të mendoj për potencialin e madh dhe të pashfrytëzuar për një përfaqësim muzeal  të ngjashëm të së kaluarës industriale në kontekstin maqedonas: artefakte dhe objekte, të kuruara nëpërmjet një kornize bashkëkohore diskursive që do të tregonte se si klasa punëtore moderne e zhvilluar mbi terrenin pasosman nuk është ide dhe aq e mirë – edhe si hap i narrativës muzeologjike (për shkak të lidhjes së historisë lokale të Maqedonisë me historinë transnacionale dhe universale të shekullit të 20-të) dhe transformim kulturor, duke e sjellë kështu në vijë me mbrojtjen finale të ndërtesave të vjetra me domethënie për historinë lokale.[1]

Mirëpo mendime të tilla “ideale” shpeshherë janë ndërprerë nga anekdota të tjera muzeale, këtë herë nga Shkupi. Gjatë studimeve të mia në vitin 2014, brenda kornizës së mësimdhënies praktike, pata mundësinë të shqyrtoj më në detaje mjedisin e muzeut më të ri maqedonas, që në atë kohë quhej “Muzeu i Përpjekjeve Maqedonase për Shtetësi dhe Pavarësi – Muzeu i Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase dhe Muzeu i Viktimave të Regjimit Komunist”. Mund të gjenden analiza të shumta profesionale dhe estetike rreth këtij muzeu, sidomos në kontekst të projektit kombëtar “Shkupi 2014”.[2] Mirëpo, duke qenë se ky lloj e analizës nuk është subjekti i tekstit tim, thjesht do ta përmblidhja se ky është muze i “atmosferës së errët”, orientimi narrativ i të cilit shkon drejt mobilizimit të përbërjeve të identitetit kombëtar, nëpërmjet shfrytëzimit të veglave vizuale shumë prekëse. Kjo do të thotë se mbizotëron prezantimi i sakrificës kombëtare, mirëpo në të njëjtën kohë, edhe superioriteti historik i kombit sillet në plan të parë.

Një pjesë e këtij mjedisi më la përshtypje të posaçme. Shkallët kryesore brenda, të vendosura në qendër përgjatë hollit formal, të çonin në një nivel të krijuar nga një ballkon (prej nga në fakt dilej pas përfundimit të vizitës, pra, tek dalja e ekspozitës)[3] ku ishin vendosur figurat prej dylli të disa personaliteteve historike, përfshirë Vladimir Leninin, Jozef Visarionoviç Stalinin, Adolf Hitlerin, Benito Musolinin, si dhe, shumë e papritur për këtë sekuencë, por ndoshta në përputhje me “atmosferën e errët” të muzeut, një statujë e falltares së Ballkanit, Baba Vangjës. Për figurat, për gjendjen e tyre në hapësirë si dhe për kohezionin e narrativës së vendosjes së tyre pranë njëra-tjetrës nuk ka ndonjë shpjegim (panele apo udhëzime të ngjashme), as ndonjë sqarim të sekuencës logjike të vendosjes së tyre. Sipas praktikës së asaj kohe, edhe pse pa ndonjë qëllim për ta përgjithësuar situatën, ciceronët nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi shpjegimeve për këto figura (në ballkon), por thjesht i kanë shpjeguar si “persona që lanë gjurmë në shekullin e 20-të”, thjesht duke dhënë emrat e tyre.

Mirëpo, ajo që m’u duk interesante ishte prania e Baba Vangjës në mesin e figurave historike që lanë gjurmë në shekullin e 20-të. Një mesazh i mundshëm është asoccimi i historisë si abstrakt dhe pikë spekulimi dhe dukuri (Historia me H të madhe), që shtrihet përtej racionalitetit të të kuptuarit shkencor të proceseve historike (që duhet të promovojë një muze i bazuar në burime dhe metodologji). Një tjetër mesazh i mundshëm është se këto figura historike dhe i gjithë kapitali i tyre historik dhe simbolik, nga historia rajonale dhe evropiane (Hitleri, Stalini, Vangjo Mihajllovi…) janë një produkt fatal i një “providence hyjnore”, jo i faktorëve të tjerë ekonomikë, politikë, socialë dhe të tjerë, që ekzistojnë, por në vetvete i nënshtrohen “fuqive më të larta”. Prandaj, vetë shkenca e historisë (si fushë akademike, por edhe si dukuri qytetëruese) është e pavlefshme, sepse gjithnjë ekziston një tjetër Histori “e vërtetë”, “autentike”, “e fshehur”, “e shtypur”, që mund t’i “bëhet e ditur” vetëm atyre që vetë janë “të pastër” (kryesisht në aspektin kombëtar) dhe të pacenë (në aspektin e identitetit) (nga Perëndimi, fqinjët, tradhëtarët, konspiratorët…). E përcaktuar kështu, pozicioni (jo)epistemologjik i këtij koncepti të muzeut në fakt është legjitim dhe duket sikur thotë: “Shkenca zyrtare (perëndimore-hegjemoniste ose komunistë-akombëtare) fsheh dhe vjedh diçka prej nesh, pra, ne jemi shkenëtarët “e vërtetë” këtu, sepse kemi “ndjeshmëri” e duhur për të kuptuar të vërtetën “reale”, sikur Baba Vangja ka fuqinë e parashikimit”.

Shembulli i fundit, vendor nuk më ka frymëzuar sikurse shembulli suedez, por ndoshta çka është më e rëndësishmja, më ka udhëhequr drejt të menduarit për problemet praktike të institucioneve të kujtesës. Dhe ato lidhen gjithnjë me sistemin kompleks të shkëmbimeve diskursive, që lidhin profesionistët ekspertë institucionale, kritikët akademikë, palët e interesit me mirëmbajtjen e vendeve të kujtesës, me rëndësinë e bashkëpunimit dhe hapjen e rrugëve ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, aktivistëve në fushën e nismave kulturore dhe institucioneve, kushteve të punës, ndikimeve politike, por edhe aftësisë së personelit për të konceptualizuar të ardhmen e institucioneve (digjitalizimin, pjesëmarrjen lokale, mundësimin e atmosferës së ngrohtë, pra shfrytëzimin e lehtësuar të hapësirës institucionale për ngjarje të ndryshme kulturore për grupmoshat nga 7 deri 77 vjeç etj.). Ndoshta anekdotat lokale janë të mira për të nxjerrë konkluzionet se (mos)ekzistenca e narrativave institucionale emancipuese dhe të edukuara lidhur me paraqitjen e kujtesës kulturore varen tërësisht nga pozicioni politik dhe sociologjik i kulturës, në nivel ekzekutues përgjatë zinxhirit të krijimit dhe zbatimit të politikave.

Sidoqoftë, mendoj se është e nevojshme që ky format i tekstit të përfundojë me tone frymëzuese. Edhe më shumë mund të konfirmoj konkluzionet nga paragrafi i mëparshëm. Muzeu i Përpjekjes Maqedonase gjatë periudhës 2018-2021 ka përjetuar transformim të madh, që kryesisht shihet në dy aspekte: interpretimi kritik i mjedisit të vet dhe hapja e hapësirës së muzeut për një sërë ngjarjes të ndryshme lidhur me nisma qytetare kulturore. Gjatë kësaj periudhe, i ka ndryshuar edhe emri, nga titulli i gjatë në atë më të shkurtër “Muzeu i Përpjekjeve Maqedonase”. Në këtë drejtim, aktualisht nuk kam informacion për praninë e figurës prej dylli të Baba Vangjës në pjesën e brendshme të muzeut apo për sqarimet lidhur me praninë e saj në kornizën narrative. Në fakt, qëllimi i transformimit ishte politik: qeveria e re e shtetit pas vitit 2017 nisi të krijojë një narrativë të re historike që synonte të mohonte dhe mbivendoste modelin e mëparshëm etno-kombëtar (të implementuar nga qeveria e mëparshme e shtetit) duke krijuar me shpejtësi një model properëndimor, që po ashtu nuk ishte i çliruar nga ngjarjet kontraverse. Pa hyrë në hollësi të këtij procesi,[4] ndoshta është më interesante të merremi me strategjitë e muzeut për t’u përballur me “të kaluarën e vet”. Në narrativën e re të konceptimit, një shembull i suksesshëm i vetëkritikës është zgjerimi i përmbajtjes së muzeut me tema, ekspozita të herëpashershme dhe aktivitete shkencore e popullore në fushën e historisë së grave nga e kaluara maqedonase.[5] Edhe pse në lidhje me proceset e hapjes së hapësirës së muzeut për grupe të ndryshme (qytetarët, jashtë grupit të synuar fillestar – maqedonasit etnikë ortodoksë), konsideroj se një nga shembujt më të suksesshëm në këtë drejtim është performanca e një ngjarjeje përkujtimore kushtuar Holokaustit të Romëve organizuar nga një organizatë civile e romëve nga Shkupi në vitin 2022.[6]

Për fund, do të doja të shtoj se që t’i zgjidhim me sukses “problemet praktike” për të cilat flas në këtë tekst, do të ishte shumë e dobishme t’i ktheheshim konceptit të “punonjësit social” apo “shkencëtarit”. Ka qenë përvojë kulturore pozitive nga periudha socialiste dhe nga vendi ynë. Nën atë koncept, kuptohej se këta punonjës, nga sfera e shkencës ose e kulturës, nuk ishin thjesht akademikë apo shkencëtarë institucionalë, por puna e tyre drejtohej nga e jashtmja, jashtë punës në zyrë, me aktivitete në komunitet, në shtyp, në sferën publike. Sigurisht, ky proces varet nga disa faktorë: media, edukimi, politikat kulturore…që janë “probleme praktike” të reja, zgjidhje të vlefshme që ende kërkojnë një dozë avangarde në mesin e aktorëve dhe politikanvë, dhe aspak konservatorizëm… pavarësisht sa e vështirë është dhe pavarësisht sa i rrezikshëm është reagimi, i armatosur me vegla të fuqishme të epokës-pas-së vërtetës.

Shënim biografik rreth autores:

Ivana Haxhievska (Hadzievska) është historiane dhe hulumtuese e pavarur. Ajo ka marrë gradën master (2021) në fushën e historisë ekonomike (“Gjendja njerëzore e punëtorëve industrialë në Maqedoninë e Vardarit 1918-1941”, 2021). Interesat e saj hulumtues janë në fushën e filozofisë së historisë dhe politikës së kujtesës.


[1]Më 23 janar 2022, ende nën rrethana të paqarta, ndërtesa e muzeut të vjetër në Manastir u dogj. Ishte një ndërtesë 120-vjeçare, e ndërtuar nga industrialisti Osman Ismail Beg, i quajtur “Dragor”. Kjo ndërtesë, me arkitekturën tipike dhe rrallëherë të ruajtur osmane nga fundi i shekullit të 19-të, ka ruajtur gjigantin e drithit socialist “Zhito Bitola” deri në kolapsimin e kësaj fabrike në fillim të viteve 2000. Duke patur parasysh historikun e ndërtesës, ajo përfaqësonte historinë ekonomike dhe sociale të qytetit për dy shekuj. Fati i ndërtesave të tilla historike në Maqedoni është i ngjashëm.

[2]Projekti “Shkupi 2014” u implementua në Maqedoni nga partia demokristiane dhe konservatore në pushtet VMRO-DPMNE, nën udhëheqjen e kryeministrit të asaj kohe, Nikolla Gruevski, në periudhën 2008-2017

[3]Sipas një artikulli në gazetë, skena përshkruhet si më poshtë: “Shkalla kryesore për vizitorët të çon në katin e dytë, tek figurat prej dylli të një sërë figurash historike botërore, nga shekulli i 19-të dhe i 20-të. Këto do të gjeni Abdul Ahmedin II dhe Kryeministrin e parë rus Vladimir Lenin. Më pas, themeluesin e Kishës Ortodokse Shqiptare Fan Noli, politikanin socialist, gazetarin dhe profesorin serb Kosta Novakoviq, mund të vëreni figurën e Georgi Dimitrovit, Udrou ëillsonit, Markos Vafeiadisit, deri tek Baba Vangja, Car Borisi II dhe Uinston Çërçillin. Nëse dikujt ia kap syri mustaqet dhe llullën e Jozef Stalinit, sigurisht do të mendojë se Benito Musolini dhe Adolf Hitleri po luftojnë me krahët lart. Në fakt, ata po e përshëndesin njëri-tjetrin me përshëndetjen naziste”. Bojan Shashevski, “Raport: Dy muze historikë në të majtë të Vardarit – dy botë muzeale, ekstravaganca kundrejt erozionit!”, MKD.mk, 29 korrik 2016. Gjendet online: https://www.mkd.mk/makedonija/politika/dva-istoriski-muzeja-levo-od-vardar-dva-muzejski-sveta-raskosh-nasproti-erozija#1

[4]Ivana Hadzievska. 2020. “Linjat kulturore dhe fetare të ndarjes së maqedonasve etnikë: ndarje simbolike në dy projekte bashkëkohore të kombndërtimit”, në Us vs. Others: Symbolic Divisions in North Macedonia, red. Jovan Bliznakovski dhe Petar Todorov, f. 21-43. Shkup: Qendra për Hulumtime mbi Nacionalizmin dhe Kulturën. Gjendet online: https://cinikskopje.files.wordpress.com/2020/11/e-d0bad0bdd0b8d0b3d0b0-d09dd0b8d0b5-d0bdd0b0d181d0bfd180d0bed182d0b8-d094d180d183d0b3d0b8d182d0b5-d0a6d098d09dda092d.pdf

[5]Shembuj: “Luftëtarja për liri dhe shteti maqedonas”. Ekspozitë për heroinat maqedonase, gra të shquara gjatë Betejës për Çlirim Kombëtar (me rastin e festës për Kryengritjen Maqedonase për Çlirim Kombëtar, 11 tetor 2022); Projekti shumëdimensional “Projekti disa hije të historive të grave”, që përbëhej nga hulumtime dhe publikim të videove educative rreth grave të shquara në hisëtorinë maqedonase, mund të shihen në kanalin zyrtar në YouTube të muzeut: https://www.youtube.com/channel/UCn6q7IJheJyFRhePlkFmyhg

[6]RadioMOF.mk “Performanca e gjashtë dialogjeve dramatike “Mbetjet naziste” në Muzen e Përpjekjes Maqedonase”, 23 gusht 2022. Gjendet online: https://www.radiomof.mk/izvedba-na-shest-dramski-monolozi-nacistichki-ostatoci-vo-muzejot-na-makedonskata-borba/