Nevoja për rishikimin e të mësuarit të historisë

Ekziston një përcaktim i pathënë, por i nënkuptuar, se historia, si shkencë dhe si lëndë mësimore, duhet t`i nënshtrohet rishikimit të vazhdueshëm. Ky përcaktim është shndërruar në postulat të mirëqenë për shkenctarët dhe hulumtuesit e mirëfilltë, për mësimdhënësit, por edhe për shoqëritë e shtetet demokratike në përgjithësi. Nxitja për një rishikim të tillë buron nga zhvillimet e hulumtimeve të vazhdueshme, por dhe nga nevoja “për të mësuar nga historia” (Historia magistra vitae est).

Të mësuarit e lëndës së historisë, në periudha dhe sisteme të ndryshme, ka pasur qëllime të ndryshme. Lënda e historisë dhe të mësuarit e historisë është përdorur edhe si mjet i indoktrinimit e shpeshherë, edhe i instrumentalizimit të të rinjve dhe shoqërisë në përgjithësi. Cili duhet të jetë roli i vërtetë i mësimit të lëndës së historisë sot, në një vend demokratik?

Në Evropë, rishikimi i mësimdhënies së historisë ka një histori të gjatë. Ky proces ka filluar që pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore e vazhdon edhe sot.

Institucione, institute e organizata të ndryshme, si Këshilli i Evropës e të tjerë, proklamojnë dhe i referohen shumëperspektivitetit (multiperspektivitetit) si qasja më e përshtashme për të mësuarit e historisë. Shmangia nga përshkrimi njëpërspektivësh (monoperspektiv) i ngjarjeve, marrja në konsideratë e perspektivave të ndryshme, u mundëson nxënësve të kenë parasysh pikëvështrime te ndryshme kur trajtojnë një ngjarje të caktuar historike. Kjo qasje, që njëherazi është edhe metodologji, krijon mundësinë që tek të rinjtë të kultivohet shkathtësia e hulumtimit, analizës dhe mendimit kritik si aftësi të domosdoshme për t`u ballafaquar me kërkesat e një shoqërie bashkëkohore demokratike. Pra, qëllimi dhe roli i mësimit të lëndës së historisë ka një dimension tjetër tani. Përmes lëndës së historisë pretendohet që tek të rinjtë të zhvillohet të menduarit e pavarur si rruga më e mirë për të njohur dhe kuptuar botën, zhvillimin e ngjarjeve, proceseve, rolin e personaliteteve, por dhe për të marrë vendime të duhura në jetën e tyre të përditshme e për të qenë qytetarë të informuar e të përgjegjshëm. Vetëm në këtë mënyrë, lënda e historisë mund t`i shërbejë mirëqenies, mirëkuptimit dhe tolerancës si vlera të domosdoshme për një shoqëri demokratike.

Po ku qëndron të mësuarit e lëndës së historisë në Kosovë sot? Nga viti 2000 Kosova ka hyrë në procesin e reformave të përgjithshme në arsim. Edhe lënda e historisë i është nënshtruar këtyre ndryshimeve. Ka pasur përpjekje që të ripërcaktohet roli dhe qëllimi i lëndës së historisë duke rishikuar edhe përmbajtjet kurrikulare. Krahas temave për luftërat, që tradicionalisht kanë qenë boshti i përmbajtjeve programore, janë përfshirë edhe dimensione të tjera nga aspekti i zhvillimeve shoqërore, zhvillimeve tekniko-teknologjike, ekonomisë, jetës së përditshme të njerëzve, trashëgimisë, rolit të grave, por dhe tema që më herët janë trajtuar pak apo aspak, siç është Holokausti. Një vëmendje e theksuar i është kushtuar metodologjisë. Udhëzimet metodologjike, që zakonisht janë pjesë e kurrikulave të kësaj lënde, për klasë të ndryshme, janë pasuruar me sugjerime për përdorimin e metodave dhe qasjeve bashkëkohore të mësimdhënies.

Kuptohet se gjithmonë ka vend për përmirësime dhe rishikime të kurrikulave. Ky duhet kuptuar si proces në vazhdimësi. Gjithmonë ekzistojnë zëra të pakënaqur me ndryshimet që bëhen. Disa nuk i tumirin ndryshimet, të tjerë nuk janë të kënaqur me vëllimin dhe cilësinë e ndryshimeve. Ka edhe nga ata që futjen e temave të reja e konsiderojnë sfidë për mësimdhënësit. Sidoqoftë, kurrikula duhet të jetë pasqyrimi më i mirë i synimeve, nevojave dhe interesave të një shoqërie.

Për të realizuar qëllimet dhe ndryshimet që parasheh kurrikula e re, pika më e rëndësishme pa dyshim se janë mësimdhënësit. Mundësia që të rinjtë të mësojnë për të kaluarën në mënyrë ta paanshme, kritike e shumëperspektivëshe varet drejtpërdrejt nga ajo që u ofrohet dhe si u mësohet në shkollë.

Mund të kesh kurrikula të mira, tekste shkollore të mira, por nëse mësimdhënësit nuk janë të përgatitur si duhet, e tëra mund të shkojë huq. Konsiderohet se ndryshimi i mendësisë dhe shprehive të njerëzve është më i vështiri për t`u arritur. Ato janë të lidhura me shtresëzimin e njohurive që fitohen përgjatë kohës, rrethanave dhe situatave nëpër të cilat kalon individi, por dhe me anën emocionale të tij. Diskriminimi, përvojat e dhimbshme të luftës, krizat politike e ekonomike të vazhdueshme, patjetër se kanë ndikuar në botëkuptimin e mësimdhënësve kosovarë.

Një nga sfidat kryesore në ndryshmin e qasjes ndaj mësimdhënies së historisë mbetet pikërisht zhvillimi i potencialeve të mësimdhënësve. Kjo sfidë, sa e vështirë, aq edhe kuptimplote, ka efekte të drejtpërdrejta në mendësinë e brezave në vazhdim, në raportet ndërnjerëzore, etnike, kulturore, fetare e sociale në shoqëri.

Në Kosovë ka pasur përpjekje të vazhdueshme për ngritjen profesionale të mësimdhënësve. Me përkrahjen e organizatave vendore e ndërkombëtare janë organizuar trajnime të ndryshme për mësimdhënësit e historisë dhe janë përgatitur materiale të ndryshme mësimore që t`u shërbejnë mësimdhënësve të trajtojnë dhe të ballafaqohen me risi, tema apo çështje që ata nuk i kanë trajtuar më parë. Një rol të rëndësishëm ka luajtur Shoqata e Mësimdhënësve të Historisë së Kosovës. Edhe pse e re dhe e papërvojë, Shoqata ka bërë disa hapa pozitivë. Një nga bashkëpunimet e saj më frytëdhënëse të viteve të fundit është me ForumZFD në fushën e edukimit për Holokaustin. Kjo temë relativisht e re është risi dhe sfidë për mësimdhënësit e Kosovës.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi, Shoqata e Mësimdhënësve të Historisë së Kosovës së bashku me ForumZFD, organizatën joqeveritare New Perspektiva, me përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe me partnerë të tjerë kanë punuar në përgatitjen e një doracaku për edukimin rreth Holokaustit. Ky doracak është i pari i këtij lloji në Kosovë. Ky doracak është rezultat i një varg takimesh, seminaresh, trajnimesh dhe i vizitës së një grupi të mësimdhënësve nga Kosova në Qendrën Botërore të Përkujtimit të Holokaustit Yad Vashem në Jerusalem, Izrael, me mbështetjen e Forum ZFD.

Doracaku është bazuar në kërkesat e kurrikulës së re dhe i referohet  rezultateve të të nxënit që pritet të arrihen nga nxënësit e klasave IX, XI dhe XII. Materiali është hartuar asisoj që të ndërthurë pjesët rrëfyese (narrative), burimet historike dhe aktivitetet që mund të realizohen nga mësimdhënësit dhe nxënësit. I është kushtuar kujdes përzgjedhjes së burimeve nga këndvështrime të ndryshme – shumëperspektivëshe. Në doracak është mëtuar të pasqyrohen perspektivat e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë, për temën që trajtohet.

Tema e Holokaustit, si pjesë shumë e rëndësishme e kurrikulës dhe ky doracak iu mundëson nxënësve të kuptojnë më mirë se si ndodhi kjo fatkeqësi, por edhe të nxjerrin mësimet e nevojshme, universale, për të ardhmen. 

Ballafaqimi me të kaluarën është një nga sfidat e rajonit të Ballkanit, i cili ngadalë po shkëputet nga një periudhë e errët e historisë së tij. Edukimi për Holokaustin mund të shërbejë si referencë e rëndësishme se si duhet të ballafaqohemi me të kaluarën dhe të angazhohemi për paqen. Dihet se bazamenti dhe rëndësia e mësimit të vetë lëndës së historisë qëndron aty se duke mësuar të kaluarën përgatitemi për të ndërtuar të ardhmen.

Me hartimin dhe ofrimin e këtij doracaku është bërë përpjekje që të hapet një dritare më shumë në rrugën fisnike për edukimin e brezave të rinj pa urrejtje e diskriminim ndaj të tjerëve ndryshe. Kjo është një mundësi më shumë në rishikimin e botëkuptimeve për të kaluarën historike dhe në ngritjen e një shoqërie demokratike ku diversiteti, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi janë vlera themelore.

Si nga përmbajtja, organizimi, por edhe nga aspekti metodologjik, ky doracak mund të shërbejë si një model i mirë për qasjen shumëperspektivëshe të mësimit të ngjarjeve historike. Ai u mundëson mësimdhënësve që të zbatojnë metodologji të reja ndërvepruese të mësimdhënies, ndërsa nxënësve punë të pavarur hulumtuese e krahasuese.

Gjithashtu, ky doracak mund të shërbejë si model  për rishikimin, konceptimin dhe hartimin e teksteve të reja dhe materialeve të tjera mësimore në Kosovë. Edhe kjo është një kërkesë dhe sfidë e ndërlidhur me zbatimin e kurrikulës së re.

Bashkëpunimi në mes të partnerëve të ndryshëm, si në këtë rast, mund të sjellë përfitime të dobishme në procesin e rishikimit dhe përmirësimit të mësimit të lëndës së historisë në Kosovë dhe më gjerë.

Arbër Salihu ka diplomuar për histori nga Universiteti i Prishtinës. Ai i ka përfunduar studimet e masterit pranë të njëjtit universitet. Aktualisht, ai po punon për disertacionin e PhD-së në fushën e Historisë Bashkëkohore të Kosovës. Ndërmjet viteve 1997 dhe 2000 ka punuar si mësimdhënës i historisë. Që nga viti 2000 ai është zhvillues i kurrikulumit pranë Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë. Ai është ekspert i historisë, edukimit në histori dhe autor i teksteve shkollore. Ndër aktivitete të tjera, Arbëri mban punëtori, ligjërata dhe trajnon mësimdhënës. Ai ka marrë pjesë në shumë punëtori, seminare, konferenca dhe aktivitete të tjera në Kosovë dhe jashtë vendit. Ai është një nga bashkëthemeluesit e Shoqatës së Mësimdhënësve të Historisë së Kosovës.