Serialet “jugoisllave” në kohëra pasjugosllave

Serialet televizive (dhe shumë forma të tjera të kulturës popullore) që rrjedhin nga territori i cili dikur ka qenë Republika Sociale Federale e Jugosllavisë (RSFJ) ende konsiderohen disi vendase nga publiku më i gjerë. Kjo së pari ndodh për shkak të faktit se për tregjet në Serbi, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci nuk nevojitet përkthim. Ato gjithashtu konsiderohen rajonale, edhe pse ky term përfshin një territor pakëz më të gjerë, që ndonjëherë përfshin edhe Shqipërinë dhe Bullgarinë, për shembull. Fokusi i këtij teksti do të jetë tek rasti specifik i serialeve më të reja e që janë vepër e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të ish-RSFJ-së në kuptimin artistik dhe të produksionit, si në kuptimin e tematikës së tyre kryesore, që rezulton se ato konsiderohen edhe pasjugosllave.

Për sa i përket serialeve televizive nga periudha pas viteve 1990-të, bashkëpunimi është krijuar në dekadën e parë të shekullit 21. Rreth asaj kohe, aktorët serbë nisën të “jenë aktorë të ftuar” në serialet kroate, kryesisht të zhanrit të telenovelave, sikurse “Dashuria jashtë fushës” (D. Peckaj Vukoviq, 2005), “Krenaria e Ratkjaëve” (M. Foretiq, J. Svilar, J. Veljaça, 2007) dhe “Ligji i dashurisë” (R. Majetiq, J. Veljaça, 2008), apo në drama krimi sikurse “Konspiracioni” (R. Majetiq, 2007). Me rritjen e cilësisë (si edhe të sasisë!) së produksioneve televizive me skenarë, që arritën kulmin në periudhën ndërmjet viteve 2015 dhe 2021, sidomos në Serbi (Dakoviq, Milovanoviq, 2021), bashkëpunimi u arrit në një sërë serialesh të njohura që bien në kategorinë ose cilësinë e parë. Edhe pse cilësia mund të tingëllojë si vlerësim i diskutueshëm dhe subjektiv, në aspektin akademik, ky term i referohet serialeve që janë, ndër të tjera, inovative, që kapërcejnë kufijtë e zhanreve, janë nën ndikimin e trashëgimisë së estetikës filmike dhe kanë njëfarë ndikimi tek shoqëria dhe kultura popullore (Tompson, 1997).

Në mesin e serialeve më të suksesshme në rajon (sa i përket shikueshmërisë, popullaritetit, reagimit në median zyrtare dhe sociale si dhe çmimeve në festivale dhe “eksportimit” në tregje të huaja) janë ato që kanë arritur bashkëpunim ndërshtetëror në fusha të shumta. Këtu hyjnë serialet “Besa” (T. Jordan, I. Stoimenov, 2018), “Dielli i zi” (D. Bjelogërliq, 2017) dhe “Artefakti i fundit socialist” (D. Mataniq, 2021). Seriali “Besa”, edhe pse një shembull i jashtëzakonshëm i bashkëpunimit të gjerë ndërkombëtar (përfshirë edhe me disa vende jashtë rajonit), dallon në tematikë, pasi i përket zhanrit të krimit dhe nuk (ri)vlerëson drejtpërsëdrejti vlerat, idetë dhe praktikat e pasjugosllavizmit. “Dielli i zi” dhe “Artefakti i fundit socialist” hyjnë në temën e pasjugosllavizmit, edhe pse nga dy këndvështrime dhe zhanre të ndryshme. I pari është triller kriminalistik pseudo-hitorik, ndërsa i dyti është dramë sociale bashkëkohore. “Dielli i zi” eksploron periudhën ndërmjet luftërave në vitet 1920-të dhe 1930-të, ndërsa “Artefakti i fundit socialist” fokusohet në kohën e tashme, por me referenca të konsiderueshme tek peridha vetëmenaxhuese e socializmit.

I promovuar me parullën “historia që nuk na kanë mësuar” seriali “Dielli i zi” kombinon me mjeshtëri një fabul krimi të thurur në mënyrë tërheqëse me fakte historike dhe pseudo-historike të imagjinuara. Ai sugjeron në mënyrë konceptuale se Jugosllavia e parë (fillimisht Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve) ishte një territor i luhatshëm politikisht dhe gati për t’u ndezur në ditët e veta të para, kur ndërthureshin shumë interesa të brendshme dhe të jashtme. Këto interesa përfshinin interesa personale, biznesore, partiake, shtetërore e madje edhe pothuajse-shtetërore, me aludime për rolin e shoqërive të fshehta ndërkombëtare dhe sekteve misterioze. Kryeqyteti, Beogradi, bëhet vendi ku ndërthuren ngjarje dramatike dhe misterioze që përfshijnë jo vetëm popullsinë vendase, por edhe shumë të mysafirë të ftuar dhe të paftuar nga Bosnja, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia dhe Maqedonia. Këta të ftuar janë nga ultradjathtistë, nacionalistë/separatistë deri tek komunistët (është me rëndësi të theksohet se në atë kohë, këta të fundit ishin në ilegalitet). Natyrisht, ka edhe elementë të huaj, nga rusë të bardhë në arrati deri tek sektet pro-naziste, ku faktet dhe trillimi vazhdimisht ndërthuren në skenar. Për këto arsye, seriali ka fituar popullaritet të jashtëzakonshëm dhe ka nxitur diskutime në qarqet akademike, media dhe rrjete sociale. Sidoqoftë, ai ka gjeneruar edhe disa reagime negative nga përfaqësuesit e komuniteteve që janë ndjerë se i kanë portretizuar në mënyrë negative dhe se bëhet fjalë për falsifikim të historisë[1].

Me një çelës krejtësisht të ndryshëm artistik dhe narrativ, “Artefakti i fundit socialist” trajton realitetin pas tranzicionit nëpërmjet një strukture dramatike realiste. Edhe pse ngjarja ndodh në një qytezë specifike (të trilluar) në Kroaci, subjekti në tërësi dhe ideja janë krejtësisht në pajtim me realitetin në vende të tjera në rajon. Humbjet nga tranzicioni dhe krahasimet e guximshme me pasojat pesimiste të kapitalizmit të sotëm liberal, me optimizmin e socializmit të vetëmenaxhuar të dikurshëm eksplorohen në mënyrë interesante pa shfaqur superioritet ndaj së kaluarës apo pa imponuar agjendat politike aktuale. Ndryshe nga “Dielli i zi” ku autorët nuk shpalosin ndonjë preferencë të qartë ideologjike (me përjashtim të rastit kur është fjala për organizatat ultradjathtiste dhe ultranacionaliste që paraqiten në dritë negative), autoritetet mbretërore dhe opozita komuniste paraqiten me kritika të pjesshme, “Artefakti i fundit socialist” qartazi përçon ide të majta. Sidoqoftë, në fund, nuk kemi ndonjë portretizim të idealizuar të zgjidhjes së mundshme përmes kthimit tek modeli i vjetër. Në vend të asaj kemi një kthesë të papritur në komplot, ku na jepet një deklaratë me ironi delikate se vlerat e dikurshme tani mund të njihen (dhe monetizohen) nëpërmjet praktikës artistike, që edhe njëherë kontrollohet nga aktorët e orientuar nga kapitalizmi (artistë perëndimorë me pozicione të mira dhe pronarë të galerive). Kështu, trashëgimia ideologjike bëhet në kuptimin e vërtetë të fjalës “artefakti i fundit socialist” (ashtu sikurse është titulluar seriali në versionin e shpërndarë ndërkombëtarisht – “Artefakti i fundit socialist”), një lloj monumenti modern, por edhe një përkujtues i hidhur i pashmangshmërisë së pranimit të sistemit aktual.

Përveç temave të tyre, që të dy këta serialë karakterizohen si pasjugosllavë edhe prej kastit (grupit të aktorëve). Në “Dielli i zi” kemi aktorë nga Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia dhe Maqedonia, ndërsa në “Artefakti i fundit socialist” kryesisht ka aktorë kroatë me aktorë të ftuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina (duhet të vërehet se disa nga aktorët në të dy seritë veçse e kishin arritur statusin rajonal dhe, përmes angazhimeve të shpeshta në vende të shumta, nuk perceptohen më si “të huaj”). Për më tepër, bashkëpunimi mes kompanive të produksionit dhe shpërndarjes ka kontribuar në qasje më të gjerë të të dy serialeve.[2]

Edhe pse mund të mendohet se krijimi i këtyre serialeve si edhe i disa të tjerëve si seriali “Suksesi” në HBO (M. Alçevski, 2019), është rezultat i përpjekjeve të qëllimshme dhe të planifikuara nga institucione qeveritare ose joqeveritare, duket se bashkëpunimi ka ndodhur në mënyrë organike. Kjo mund t’i atribuohet arsyeve praktike të biznesit (qasje më e lehtë në fonde dhe treg më i madh për shpërndarje) si dhe nevojës së vërtetë për lidhje kreative ndërmjet individëve të rajoneve pasjugosllave, që gjithnjë e më shumë po e kuptojnë se ndajnë jo vetëm një të kaluar të përbashkët, por edhe një pjesë të konsiderueshme të së tashmes së tyre. Këta shembuj nuk duhen interpreteruar si promovim i nostalgjisë për Jugosllavinë apo si përpjekje për ta rishkruar historinë dhe/ose të tashmen. Në të vërtetë, ato duhet të shihen si reagim i natyrshëm dhe konstruktiv ndaj sfidave me të cilat përballet vazhdimisht rajoni ynë për shkak të gjendjes aktuale gjeopolitike.

Burimet:

Milena Kvapil është drejtore dhe drejtore kreative nga Beogradi, me mbi njëzetë vjet përvojë pune në media dhe industrinë e reklamimit. Aktualisht po ndjek studimet e doktoraturës në Teorinë e Arteve Dramatike, Kulturës dhe Medias pranë Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd. Ajo është në fazën e shkrimit të disertacionit të doktoraturës me temën “Fuqia e butë e serialeve televizive: Serbi 2015-2022”.


[1] Fillimisht, i referohen reagimeve të përfaqësuesve të pakicës ruse të cilët e kanë dënuar serialin për shkak të kinse portretizimit negativ të periudhës së emigrimit rus pas Revolucionit të Tetorit, viz: Joksimović, 2017, Tanasić, 2017.

[2] Seriali “Artefakti i fundit socialist” është bashkëproduksion kroato-slloveno-serbo-finlandez, që e ka patur premierën në HRT në fund të muajit dhjetor 2021, ndërsa në Serbi është transmetuar në vitin 2022 në transmetuesin kombëtar RTS. “Dielli i zi” është bashkëproduksion ndërmjet Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnje e Hercegovinës/Republika Srpskas dhe e ka patur premierën në vitin 2017 në RTS. Më vonë është transmetuar zyrtarisht në stacionet televizive në Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci dhe Slloveni.