Ora është vetëm 12: epshi për jetë

Në vitin 1993, Republika Federale e Jugosllavisë vuante nga sanksionet, izolimi ndërkombëtar dhe sundimi i koalicionit kuqezi të socialistëve dhe radikalëve. Hiperinflacioni kishte arritur proporcione astronomike, ku zerot e kartëmonedhave të pavlefshme shumëfishoheshin në progresion gjeometrik. Rrogat kishin humbur vlerën në minimumin historik prej pesë markash gjermane. Raftet e dyqaneve ishin bosh dhe varfëria shtrihej gjithkund. Zyrtarisht, Serbia nuk ishte në luftë, por operacionet ushtarake në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë planifikoheshin dhe zbatoheshin nga adresa në Beograd. Kroatët konsideroheshin si armiqtë më të mëdhenj të të gjithë popullit serb. Gazetat dhe suplementet e tyre përhapnin teori të “lëvizjes së ringjallur të ustashëve” dhe raportonin përditë për kinse krimet e ustashëve.

Ishte epoka e artë e propagandës luftënxitëse, korniza ideologjike e së cilës krijohej nga akademikët, shkrimtarët, historianët dhe profesionistët e tjerë nga e ashtuquajtura kulturë e lartë, që financohej bujarisht me vite të tëra nga buxheti i shtetit. Rrethi pranë Dobrica Qosiqit punonte me zell për të formësuar agjendën ideologjike të Serbisë së Madhe, që zhvillohej më tej nga drejtuesit e medias. Shumë vepra letrare u zhdukën mistershëm nga librat shkollorë dhe listat e leximit, sepse brenda natës, autorët e tyre u etiketuan si pjesëtarë të kombeve armike.

Të rinjtë e asaj kohe, përfshirë edhe mua, u rritën në një atmosferë lufte, urrejtje, shovinizmi, frike dhe dëshpërimi; të kapur në një karantinë mediatike dhe kulturore; të hutuar dhe të paqartë nga katastrofa antropologjike që po ndodhte rreth tyre. Ndasitë famëkeqe serbe në radhët e adoleshentëve përcillnin më pak vijat politike dhe më shumë shijet muzikore. Nga njëra anë ishin ekipi superior në numra “diesel” që ishin konform kornizëss dominuese muzikore dhe të vlerave të shoqërise serbe. Nga ana tjetër, një pakicë që me përbuzje quhej “padavičari”, kryesisht prireshin drejt zhanreve të ndryshme të muzikës rok.

Subkultura “diesel” përcillte me bindje modelin e imponuar muzikor dhe kulturor të përbërë nga turbofolku dhe muzika për kërcim, kulti dominues i të fortëve, dhuna, kriminelët dhe maçizmi ku gratë shiheshin si objekte seksuale dhe që promovonte intolerancën ndaj ndryshimeve. Shoqërinë e përshkonte imperativi i unitetit absolut, i deklaruar nga kreu i pushtetit ideologjik dhe politik. Kushdo që dallohej shenjohej si shënjestër për persekutim, pavarësisht a ndodhte kjo për shkak të mendimeve të ndryshme, kombësisë, fesë apo muzikës që dëgjonin apo stilit të të veshurit.

Në një mjedis të tillë, kënga “Ora është vetëm 12” u bë hit absolut në vitin 1993, një këngë e pashmangshme në ditëlindje dhe festa të tjera, pjesë e detyrueshme e repertorit të klubeve dhe diskotekave. Nuk do të kishte asgjë të çuditshme që një tjetër këngë me temë dashurie të popullarizohej në mesin e të rinjve po të mos ishte për faktin se ishte këngë nga grupi i kërcimit E.T. (Electro team) nga Zagrebi. Sipas standardeve zyrtare të asaj kohe, ata konsideroheshin grup armik me muzikë armike, po qartazi kjo nuk e pengonte brezin e ri.

Jugosllavia ishte shpërbërë vetëm pak vite më parë, por inercia e dekadave të jetesës së përbashkët ende nderej dhe uniteti i hapësirës kulturore dhe gjuhësore nuk ishte shkatërruar ende tërësisht, pavarësisht punës intensive të makinerisë propagandistike dhe forcave të fuqishme që prodhonin dhunë dhe luftë. Nacionalizmi dhe shovinizmi ishin inauguruar zyrtarisht si pikëpamje të përhapura botërisht, mirëpo në sipërfaqe ende kishte të plasaritura dhe jo të gjitha vrimat ishin mbushur.

Fakti që kjo këngë nga E.T. dëgjohej shumë nuk nënkuptonte ndonjë emancipim të papritur të rinisë, as nuk ishte rezistencë ndaj nacionalizmit. Madje as që ngrihej pyetje se si një patriot serb mund të dëgjonte dhe adhuronte një këngë nga disa “purgeri” (term që përdorej për njerëz nga Zagrebi). Me siguri muzika shihej si botë e veçantë që kishte pak lidhje me luftën. Konsistenca dhe koherenca nuk mund priten nga adoleshentët, personalitetet e të cilëve janë ende duke u formuar, sidomos në një shoqëri në rrëmujë, ku as të rriturit nuk e dinë se çfarë po ndodh. Ndryshe nga kornizat e ngurta ideologjike ku gjithçka është e ndarë dhe e kataloguar qartazi, realiteti është shumë më kompleks dhe i paparashikueshëm.

Në atë kohë, kur përmbajtjet tërësisht të kundërta bashkëekzistonin paqësisht, kombinimet më të shumëllojshme të elementëve të shumëllojshëm formësuan ndërgjegjen e të rinjve. Dikush mund të ishte mbështetës i Sllobodan Millosheviqit dhe në të njëjtën kohë të dëgjonte Sonic Youth, Nirvana dhe Pearl Jam. I njëjti person që shkrihej së qeshuri kur dëgjonte Sheshelin të fliste në “Maksovizija” se si një çetnik ia kishte prerë fytin një ustashi me flakëhedhëse, që të mos kishte nevojë ta therrte, do të shkonte pastaj të vallëzonte nën tingujt e këngës “Është ora vetëm 12″. Në çmendurinë e përgjithshme të asaj kohe, asgjë nuk dukej e panatyrshme, jologjike apo e papërputhshme.

Ka një paradoks edhe më të madh lidhur me këngën e E.T., të paktën në kujtesën time. Gjatë procesit të socializimit të detyrueshëm dhe të kotë, duke e gjetur veten në mesin e një shoqërie që nuk është se e kisha zgjedhur, detyrohesha ta dëgjoja hitin kroat që gjithnjë shoqërohej me dy këngë të tjera si pjesë e repertorit të detyrueshëm. Ato dy këngë ishin “Usne vrele višnje” nga Xhoni Shtuliq dhe “Zenica Blues” nga Zabranjeno pušenje, që ishin më afër pakicës sonë, botës së rokut. Që të tria këngët kishin të bënin me pabesinë, vetëm se “Ora është vetëm 12” kishte perspektivë të ndryshme.

Ajo këndohej nga perspektiva e të dashurës e cila thyen stereotipet gjinore, sistemin partriarkal dhe – ashtu si Patriarku, Dveri & co. Do të thonin sot – vlerat tradicionale të popullit tonë. Protagonistja e këngës nuk e do të dashurin për vete, ajo nuk vuan që ai është i martuar, përkundrazi: “Nuk dua martesë me ty / Nuk mërzitem që je i saj”. Ajo madje as nuk është xheloze. “Ruaje dashurinë për të, gjeje prehjen tek unë” dhe kulmi i të ashtuquajturit posesiviteti i saj është i dukshëm në tekst: “Do të doja ta dija / A mendon për mua kur je me të”.

Nga ana tjetër, dy këngët e rokut që supozohet të jenë subversive, në fakt janë konform rendit dominues patriarkal dhe në rastin më të keq, në formën e tij më të dhunshme. Në ato këngë, burri i tradhëtuar kërkon hakmarrje duke vrarë të dashurën dhe autorët nuk e vënë në pikëpyetje këtë akt në asnjë mënyrë. Nuk është çudi që këto dy këngë kanë gjeneruar më shumë eufori në radhët e audiencës, sidomos tek pjesa mashkullore, në krahasim me këngën nga E.T. Djemtë dhe burrat e rinj ekzaltoheshin nga teksti që glorifikonte vrasjen, ndërkohë që protagonisti humb mendjen dhe nxjerr thikën, “i shtyrë nga çmenduria e verbër”. Revelacioni i hakmarrjes së suksesshme: “Askush nuk kthehet nga Bare” i fut të gjithë në të njëjtën gjendje humori.

Pas disa sesioneve të tilla, zbulova një të vërtetë të çuditshme: ata në fakt mezi presin që të dashurat t’i tradhëtojnë në mënyrë që të kenë një arsyetim për dhunë dhe vrasje. Disa vite më vonë, teksa lexoja Radomir Konstantinoviqin, e kuptova se nuk kishte të bënte me psikopatologjinë individuale, por me këndvështrimin dominues për botën të krijuar nga elitat kulturore dhe politike. Aty shpalosej se ndjenja e të qenit i kërcënuar dhe i grabitur ishte “ndjenja themelore frymës së qytezës” dhe se kjo frymë kishte prirjen instinktive-vetëmbrojtëse për ta parë veten si viktimë të të tjerëve. Fyerja, hidhërimi, vetëviktimizimi dhe zemërimi ndaj të gjithë botës kishte momentet e veta të shndritshme që shërbenin si arsyetim për luftë dhe krime gjatë asaj periudhe.

Hiti i E.T.-së solli tinguj të stonuar në kulturën dominuese patriarkale të dhunës, hakmarrjes, maçizmit dhe vdekjes, ndoshta dhe pa qëllim. Mirëpo audienca nuk e perceptoi atë si subversive, duke mbetur e bllokuar brenda nofullave të sistemit mbizotërues të pavlefshmërisë. E megjithatë, brenda asaj kënge ekzistonte një lëngim për jetën dhe një thirrje për lirinë në një kohë kur jeta vlente më pak se një qindarkë dhe liria sakrifikohej në altarin e perëndisë së plotfuqishëm të Kombit. Ndoshta kjo është arsyeja pse ka mbijetuar deri më sot.

Tomislav Markoviq, gazetar dhe shkrimtar. Ai shkruan kolona për disa portale rajonale: Al Jazeera Balkans, Antena M, Nomad, Zurnal.info dhe Tacno. Artikujt e tij u botuan gjithashtu nga Frankfurter Allgemeine Zeitung, Vox Europe, The Guardian dhe Eurozine. Ai ka qenë anëtar i redaksisë së portalit e-novine dhe një nga themeluesit dhe bashkëredaktorët e paketës së propagandës kulturore Beton (2006 – 2013).