Vendvarrimet akuzojnë: mjekët ligjorë që gërmojnë për të zhdukurit në Kosovë – Seri blogjesh

Qoftë në vendin e krimit, në një stol ose në kompjuter, mjekët ligjorë që kanë punuar në ekzaminimin e të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, dhe në vendet tjera, u janë ekspozuar përjetimit të mizorive dhe kanë dëshmuar ato. Ata kanë identifikuar të zhdukurit, duke ndihmuar në bashkimin e mbetjeve me familjet. Ata kanë bërë ekzaminimet si një mjet i drejtësisë penale, por gjithashtu mbajnë tagrin emocional të punës që bërë. Katër nga ata që kanë punuar në Kosovë tregojnë historitë e tyre: Valon Hyseni, Robert McNeil, Luísa Marinho dhe Javier Santana. Seri blogjesh nga Serbeze Haxhiaj. 

Javier Santana: Ata kthehen në ëndrra të këqija të dhimbjes njerëzore

Përpara se të merrej me mbetjet e atyre që ishin pre e mizorive të kryera gjatë shpërbërjes së përgjakshme të ish Jugosllavisë, Javier Santana, një arkeolog mjekoligjor, ishte i dhënë pas arkeologjisë 

forenzike. Për më shumë se tri dekada ai mendoi se kjo do të ishte pasioni dhe fokusi jetësor i profesionit të tij.

Ai punoi veçanërisht në hulumtimet për gjurmët e vikingëve saksonë dhe romakë, duke eksploruar në gjurmët e fushëbetejave të dikurshme në Rumani, Greqi, Itali dhe Lindje të Mesme.

Për të kjo ndillte kureshtje e pasion, ngase dëshironte të gjente varre romake dhe kishte rezultat. “Aty nuk ka dhimbje, por mund të punosh shumë”, tregon Santana.

Por pasi nisi të punonte në ekzaminimin e rasteve të reja në Bosnjë e Kosovë, ndjenja e tij për punën ndryshoi rrënjësisht.

“Pavarësisht nëse ke punuar në sallën e autopsisë apo në varre, nuk është diçka që të lëshon aq lehtë. Është një gjë që të ndjekë nga pas”, tregon ai

Santana thotë se duhet të ketë një pasion të fortë për të arritur të mbash gjithë peshën emocionale që vjen nga kjo punë, ngase gjithmonë kënaqësia e gjetjes së trupit errësohet nga të kuptuarit e vuajtjes që ka përjetuar viktima dhe nga dhimbja që ndiejnë familjarët.

“Duhet të mësohesh të përballosh peshën e tronditjes së asaj se çfarë një krijesë njerëzore është në gjendje të bëjë ndaj një tjetre”, thotë ai.

Santana tregon se për të ka qenë e vështirë të mbajë ngarkesën emocionale të kësaj pune , por që e ka ndihmuar të formësojë shumë nga pikëpamjet e tij për jetën.

“Sado që të përpiqesh të vësh një mburojë, nuk mund t’i ikësh barrës emocionale që sjell kjo punë, si ëndrrat e këqija që i sjellin ata”, thotë ai.

Santana, që pas ekzaminimeve ka përjetuar shpesh ankthin e netëve pagjumë, thotë se askush nuk mund t’i përgatisë mjekët ligjorë për mënyrën se si do t’i trajtojnë personalisht emocionet e tyre. “Kemi njerëz të ndryshëm. Disa janë aq shumë të ndjeshëm ndaj kësaj pune sa nuk mund të përballojnë as bisedën rreth një rasti dhe u bie të fikët”, tregon ai.

Ai thotë se më e rëndësishmja kur gjen mbetjet e një personi apo disa personave të zhdukur në një vend është se zbulon gjithashtu se dikush bëri përpjekje për ta fshehur një krim.

Në këtë mënyrë ekzaminimet e tij dhe të tjerëve jo vetëm që zbuluan të vërtetën për personin që e sjellin në familje, por ndihmuan për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur me viktimën, duke sjellë  prova që mund të çojnë në dënimin e kryesve.

“Ata që vranë priren t’i fshehin ato. Ata kanë një arsye për të fshehur trupat, sepse përpiqen të fshehin dëshminë e vrasjes. Është një gjë makabre”, thotë ai.

Ekzaminimi i krimeve të kryera në Kosovë për arkeologun mjekoligjor spanjoll ka qenë një vazhdim i formësimit të këndvështrimit për përmasën e krimeve. 

Ai tregon se ndër vite kërkimet për të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë janë bërë të ndërlikuara ngase në shumë vende relievi ka ndryshuar. “Ne bazohemi në informacione apo dëshmi, por nga koha kur supozohet se ka ndodhur relievi ka ndryshuar”, thotë ai.

Me këtë ndryshim ai dhe kolegët e tij ishin përballur me vite në Kizhevak të Serbisë, vendin ku kishte një gurore të madhe që ishte ende në përdorim dhe nën të u gjetën mbetjet e 11 civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe gjatë pranverës së vitit 1999.

“Procesi i përcaktimit të vendndodhjes së saktë të eshtrave ndërlikohej nga fakti se miniera kishte pesë nivele shtresash dheu secili afërsisht prej 13 metrash”.

Megjithatë, Santana dëshiron t’u japë më shumë shpresë atyre që po përjetojnë sagën e kërkimit të zhdukurve.

“Të fshehësh trupin e një personi në një varrezë shpesh është si të fshehtë një libër në një bibliotekë. Herët apo vonë ai do të gjenden edhe nëse kalojnë shumë vite”, thotë ai.